Bota ka hyrë në një epokë të paqëndrueshmërisë në rritje, teksa shumica e vendeve po i rrisin shpenzimet ushtarake në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, sulmit të Hamasit ndaj Izraelit dhe sjelljes agresive të Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Ky është konkludimi i një raporti të ri të publikuar të martën nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS). Instituti theksoi gjithashtu rritjen e tensioneve në Arktik, programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe ngritjen e regjimeve ushtarake në rajonin e Sahelit të Afrikës si kontribut për situatë të përkeqësuar të sigurisë.
Think-tanku me seli në Londër ka përpiluar vlerësimin vjetor të situatës ushtarake globale për 65 vitet e fundit.
Shpenzimet globale të mbrojtjes u rritën me 9% në 2.2 bilionë dollarë vitin e kaluar pasi pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, rriti shqetësimet se Kina dhe shtetet e tjera të fuqishme ushtarakisht mund të përpiqen ta imponojnë vullnetin e tyre te fqinjët, njofton Insituti.
Rritja e paqëndrueshmërisë ishte edhe më e madhe në NATO, e cila e ka mbështetur Ukrainën si një mburojë kundër inkursioneve të mëtejshme ruse në Evropë. Anëtarët jo-amerikanë të aleancës kanë rritur shpenzimet ushtarake me 32% që kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, ka konstatuar instituti. Dhjetë anëtarë evropianë arritën objektivën e aleancës për të shpenzuar 2% të bruto produktit vendor për mbrojtjen vitin e kaluar, nga vetëm dy sa ishin në vitin 2014.
Shpenzimet evropiane të mbrojtjes morën vëmendje përsëri në ditët e fundit pasi ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka theksuar në një tubim se sa ishte president ai i tha një anëtari të NATO-s se do të “inkurajonte” Rusinë të sulmonte anëtarët e aleancës që nuk përmbushnin detyrimet e tyre të financimit.
“Nuk ke paguar? Je delikuent?”, pyeste Trump duke u shprehur. “Jo nuk do të të mbroja. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguash. Ju duhet t’i paguani faturat tuaja”.
Komentet e Trumpit shkaktuan shqetësim të thellë midis anëtarëve të aleancës si Polonia, ku frika është e lartë për luftën që Rusia po bën në Ukrainën fqinje. Një nga gjetjet kryesore të raportit është se Rusia ka humbur rreth 3 mijë tanke kryesore luftarake gjatë luftimeve në Ukrainë, ose afërsisht aq sa Moska kishte në inventarin e saj aktiv përpara se të fillonte pushtimi në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Teksa Rusia ka rimbushur forcat e saj duke tërhequr 2 mijë tanke më të vjetra nga magazinat, qeveria ukrainase në Kiev po mbështetet te vendet perëndimore për të siguruar municionin dhe armatimin.
“Mirëpo, Kievi gjithashtu vazhdoi të demonstrojë zgjuarsinë e tij në mënyra të tjera, duke përdorur sisteme perëndimore dhe të zhvilluara vendase për të vënë në gjunjë flotën ruse të Detit të Zi”, ka theksuar grupi i ekspertëve, duke përmendur përdorimin e “anijeve” pa pilot nga Ukraina.
Mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë kanë filluar të ndikojnë në planifikimin ushtarak në vende të tjera, njofton IISS. Në veçanti, shumë vende e kanë kuptuar se duhet të rrisin prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe të krijojnë rezerva më të mëdha në rast se janë të detyruar të luftojnë një luftë të zgjatur.
“Një mendësi e drejtë në kohë që ka vazhduar për gati tre dekada po i hap rrugën një qasjeje vetëm në rast, megjithëse realizimi i këtyre ambicieve është sfidues”, thuhet në raport.