Botë

Ramazani i lirisë dhe pasigurisë në Sirinë e re

Siria

Rrugët e Damaskut janë mbushur me flamuj të rinj me tre yje. Në raste të shumta ky flamur shfaqet edhe krahas mbishkrimit “Zoti është i madh”. E një billboard thotë se ky qe “ramazani i fitores”. Në një objekt qeveritar, fytyrat e ish-presidentëve janë të shqyera. Në këto hapësira tani në gjuhën arabe shkruan “LIRI”. Por krejt ndryshe është situata ku dominon sekti të cilit i përkiste edhe ish-presidenti Bashar al-Assad

Sahar Diab ka qenë në xhaminë e famshme të Damaskut, Umayyad edhe në të kaluarën. Por teksa juristja siriane shkonte për të kryer lutjet gjatë Ramazanit të parë pas rënies së regjimit të familjes së Bashar al-Assadit, ajo thotë se ndiente diçka ndryshe. E konsideron si diçka të pa çmim: Njëfarë lehtësie të pashpjegueshme.

“Lutjet janë bërë shumë më të bukura”, ka thënë ajo. “Në të kaluarën, ishim më të kufizuar se çka mund të flisnim... tani ka liri”.

Teksa Diabi po fliste për Ramazanin, luftime të përgjakshme pati jashtë Damaskut. Gjakderdhja mori ngjyrime sektesh dhe u shndërrua në dhunën më të rëndë që nga rrëzimi i regjimit të presidentit Asad në dhjetor nga forcat e armatosura të udhëhequra nga grupi islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Në Ramazanin e sivjetmë – muaji i shenjtë i myslimanëve për agjërim gjatë ditës dhe adhurimit të shtuar – realitete si ai në Siri u përballën në tranzicione komplekse. Lehtësia, shpresa dhe kënaqësia – pas 53 vjetësh të regjimit të Asadit, luftës së gjatë civile dhe valëve të tmerrshme ekonomike – ndërthuren me pasigurinë, frikë dhe vala e përgjakshme e shqetësuese e dhunës.

Disa ndihen më të fuqizuar e të tjerët më të cenueshëm.

“Ramazani i fitores”

“Nuk po frikësohemi nga asgjë”, ka thënë Diabi. Ajo dëshiron që shteti i saj të rindërtohet dhe të heqë qafe epokën e errët të Assadit me korrupsion dhe ryshfet.

Në xhaminë Umayyad një grua mbante në duar tespihet dhe puthte Kuranin; besimtarët qëndronin krah për krah dhe binin në sexhde në namaz; thirrja ikonike e grupit të umajadëve recitohej nga disa njerëz.

Udhëheqësi, i cili shpeshherë ndërpritej nga thirrjet e fuqishme “Zoti është i madh”, ka folur kundër Assadit dhe lavdëroi kryengritjen kundër tij.

“Revolucioni ynë s’është revolucion sektesh edhe pse jemi masakruar nga shpata e sektarianizmit”, ka thënë ai.

Në këtë Ramazan, sirianët shënuan 14-vjetorin e nisjes së luftës civile në shtet. Konflikti ka nisur si një prej disa kryengritjeve kundër diktatorëve arabë, para se Assadi të shkelte atë që nisi si protestë e madhe paqësore dhe që shpërtheu në luftë civile.

U bë shpejt një ndarje lufte në mes të linjave sektare, duke tërhequr në terren edhe fuqi e ushtarë të huaj. Assadi, që udhëhiqte shumicën dërrmuese sunnite, i përket minoritetit të sektit alawi. Kjo, sipas alawitëve, nuk nënkupton fajin kolektiv për veprimet e tij.

Shumë sirianë tregojnë për frikën e madhe nën kohën e Assadit, duke cituar shpesh thënien arabe “edhe muret kanë vesh”, si reflektim se madje edhe të folurit privatisht nuk ishte e sigurt. Ata kujtojnë padrejtësitë dhe brutalitetin. Tani, për shembull, shumë e festojnë lirinë nga postblloqet e frikshme të epokës së errët të Assadit.

“Ata do të na binin në qafë”, ka thënë Ahmed Saad Alden, që në xhami gjatë Ramazanit kishte shkuar nga qyteti i Homsit. “Ju dilni jashtë... dhe nuk e dini nëse do të ktheheni në shtëpi apo jo”.

Ai ka thënë se dhjetëra kushërinj të tij janë zhdukur: Kërkimi për ta në burgje doli i pasuksesshëm.

Mohammed Qudmani ka thënë se edhe shkuarja në xhami u ka shkaktuar ankth disa njerëzve në të kaluarën, nga frika se do të ndaleshin nga forcat e sigurisë ose do të quheshin “terroristë”.

Tani rrugët e Damaskut janë mbushur me flamuj të rinj me tre yje, që jo shumë kohë më parë ishte simbol i rivalëve të Assadit. Në raste të ndryshme shfaqet edhe nëpër mure, krahas mbishkrimit “Zoti është i madh”.

Një billboard thotë se ky qe “ramazani i fitores”. Në një objekt qeveritar, fytyrat e ish-presidentëve Bashar e Hafez Assad janë të shqyera. Në këto hapësira tani në gjuhën arabe shkruan “LIRI”.

Haidar Haidar, që ka një dyqan ëmbëlsirash, ka thënë se ishte prekur kur forcat e reja të sigurisë i dhanë ujë dhe hurme teksa ishte në rrugë në kohën e ezanit.

“Nuk kemi përjetuar kurrë gjëra të tilla këtu”, ka thënë ai, duke shtuar se vazhdimisht lutej duke recituar sure, kur kalonte afër postblloqeve të Assadit.

Ai ka thënë se edhe biznesi i tij ka ecur më mirë gjatë Ramazanit dhe se ka më shumë produkte në dispozicion.

Megjithatë, sfidat – ekonomike, gjeopolitike dhe të ngjashme – janë të shumta.

Shumë ëndërrojnë për Sirinë e re, por si do të duket kjo mbetet e paqartë.

“Situata është e mjegullt”, ka thënë banori i Damaskut, Wassim Bassimah. “Sigurisht, ka kënaqësi të madhe se kemi hequr qafe kancerin që kishim, por ka ende varësi të shumta”.

Sirianët, siç ka shtuar ai, duhet të jenë të vëmendshëm të mbrojnë shtetin e tyre nga rrëshqitja e serishme në luftë civile dhe duhet të ruajnë dialogun gjithëpërfshirës.

“Armiqtë e jashtëm janë ende aty. Po ashtu edhe ata nga brenda”, ka thënë ai.

Shenjat e luftës vihen re lehtësisht. Pak jashtë Damaskut, shkatërrimet shihen gjithandej. S’bëhet fjalë vetëm për ndërtesa të shkatërruara. Shumë sirianë po vuajnë për të zhdukurit dhe të vrarët. Shumë familje janë ndarë si pasojë e eksodit të miliona refugjatëve.

Ramazani mbledh gjithmonë më të dashurit në kohën e iftarit. Sirianët grumbullohen nëpër restorante ose hapësirat e njohura si “tenda të Ramazanit” për të prishur agjërimin dhe për të pirë duhan nën tingujt e muzikës. Por përderisa ky muaj konsiderohet si i lirisë për shumë sirianë, dhuna në rajonin bregdetar ngjalli frikë.

Gjakderdhja nisi pas raportimeve të sulmeve nga besnikët e Assadit ndaj forcës qeveritare të sigurisë. Grupet monitoruese dhe për të drejtat e njeriut kanë raportuar vrasje në shenjë hakmarrjeje në kundërofensivë, që sipas tyre, përfshiu disa grupe. Në mes tyre, qindra civilë ose më shumë u vranë. Shifrat është zor të konfirmohen. Mbikëqyrësi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se shumica e civilëve të vrarë janë alawitë, ndërsa pjesa tjetër janë alawitë të armatosur dhe zyrtarë të forcave të sigurisë. Autoritetet siriane kanë formuar një komitet të veçantë për të hetuar dhunën.

Edhe para kësaj gjakderdhjeje, përderisa shumë njerëz festonin për qeverinë e re, të tjerët e vunë në pikëpyetje se çfarë do të thoshte ardhja në pushtet e forcave kryengritëse. Dyshimet ishin për lirinë, përfshirë atë të minoriteteve dhe të shumicës me mendje laike ose që u përmbahen më pak interpretimeve të Islamit. Autoritetet e reja kanë dhënë garanci për pluralizmin.

Rikthimi i frikës

Adham al-khatib, përfaqësues i një sekti islamik në Siri (që beson se kanë qenë 12 imamë pas vdekjes së Muhamedit dhe se imami i 12-të është i gjallë dhe fshihet diku në tokë), ka thënë se shumë nga minoriteti shiitë ndihen të frikësuar nga dëbimi i Assadit dhe e kanë braktisur shtetin. Disa janë kthyer, të inkurajuar nga qetësia e përkohshme dhe garancitë e autoriteteve të reja, sipas tij, por dhuna e fundit dhe disa “shkelje individuale” kanë rindezur frikën.

Përderisa dhuna u shfaq më herët gjatë muajit të Ramazanit, turmat mblidheshin në Damask.

Disa dolën në përkrahje të forcave të sigurisë. Të tjerët, sikur Malaka al Shanawani, morën pjesë në një tubim tjetër, kundër vrasjes së forcave të sigurisë dhe civilëve.

“Ishte sikur makth”, ka thënë feministja dhe aktivistja politike. “Është një nga momentet më të këqija”.

Nën Assadin, al Shanawani u arrestua më shumë se një herë. Në mes të të vrarëve nga dhuna, sipas saj, ishin tre vëllezër të një mikeshe alawite që po ashtu ishte arrestuar në kohën e Assadit.

“Kur dëgjonim se alawitët do të masakroheshin ne u thoshim: ‘Jo, mund të ju mbrojmë, s’do të lejojmë që kjo të ndodhë’”, ka thënë al Shanawani, që vjen nga komuniteti mysliman sunit. “Por kjo ndodhi”.

Në vigjiljen e heshtur, aktivistët bartnin banerë që bënin thirrje për shtensionim dhe kundërshtuan “ndarjet në sekte”. “Asnjë fe, as sekt, s’mund të na ndajë”, shkruante në njërin prej tyre. “Revolucioni i Sirisë s’pranon padrejtësi”, shkruante një tjetër.

Por tubimi shpejt u tensionua, pas raportimeve se dikush provokoi.

Një burrë me ashpërsi pyeti pjesëmarrësit se ku ishin ata në kohën kur vuanin sunitët. Një tjetër me dhunë e shqeu një baner. E i treti fyeu alawitët.

Dikush u përpoq të gjente gjuhën e pajtimit. Njerëzit që u përplasën dikur u dakorduan dhe bënë thirrjen e njëjtë.

“Një. Një. Një”, brohoritën ata. “Populli sirian është një”.

Teksa kaosi dhe ndarjet vazhduan, megjithatë, disa të shtëna në ajër e shpërndanë turmën.