“Të gjithë janë thjesht në panik...Ne nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë laptopëve e telefonave tanë. Gjithçka duket rrezik në këtë moment dhe askush s’di se çfarë të bëjë”, tha një grua me emrin Ghida.
Në momentin kur ishin mbledhur turma e njerëzve për ceremoninë e varrimit për viktimat e valës së shpërthimeve të pejxherëve të martën, një shpërthim tjetër shkaktoi kaos në Dahiyeh, bastion i Hezbollahut në jug të Bejrutit.
Në zonën përreth kishte konfuzitet ndërsa zhurma e shpërthimit jehoi nëpër rrugë. Mbizotëroi heshtje. Të mbledhurit shikonin njëri-tjetrin të shtangur.
Ndërsa u përhapën raportet se kjo ishte pjesë e një vale të dytë të shpërthimeve që synuan radiolidhjet, më asnjë pajisje elektronike s’u konsiderua e sigurt.
Në Dahiyeh, mbështetësit e Hezbollahut ndaluan disa herë ekipin e BBC-së, duke i kërkuar që të mos përdoreshin telefonat apo kamera.
Një nga producentët e BBC-së mori mesazh nga një shoqe, që tha se kishte ndërruar SIM kartelën e saj të Libanit dhe kishte marrë një numër ndërkombëtar, e shqetësuar se telefoni i saj mund të shpërthejë gjithashtu.
Shumë njerëz në mbarë Libanin, në mënyrë të pashmangshme po pyesin se çfarë do të vijë më pas. Disa madje thonë se nuk e dinë nëse është e sigurt të ecin pranë njerëzve të tjerë dhe po i ndryshojnë planet.
“Të gjithë janë thjesht në panik...Ne nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë laptopëve e telefonave tanë. Gjithçka duket rrezik në këtë moment dhe askush s’di se çfarë të bëjë”, tha një grua me emrin Ghida.
Konfuzioni u përkeqësua nga thashethemet që u përhapen në rrjete sociale. Njëri prej tyre sugjeronte se edhe panelet diellore shpërthyen.
“Një gjendje paniku pushtoi njerëzit”, tha një grua tjetër. “Dhe sinqerisht, kjo situatë është shumë e frikshme”.
Sulmi i së mërkurës, i cili vrau 25 njerëz, erdhi ndërsa vendi ishte ende i tronditur dhe zemëruar nga ajo që ndodhi një ditë më parë, kur mijëra pejxherë shpërthyen në një sulm të sinkronizuar, pasi përdoruesit morën një mëzash që besonin se kishte ardhur nga Hezbollahu.
Pajisjet shpërthyen po ashtu derisa njerëzit ishin në shitore apo me familjet në shtëpi, duke vrarë 12 persona, përfshirë një vajzë tetëvjeçare që shkoi ta merrte një pejxher për t’ia dhënë babait, dhe një djalë 11-vjeçar. Rreth 3000 janë lënduar, ndërsa qindra prej tyre është dashur t’i nënshtrohet operimeve.
Duke trajtuar disa prej të lënduarve, mjeku Elias Warrak tha se të paktën 60 për qind të atyre që i pa pas shpërthimit të së martës kishin humbur të paktën njërin sy, ndërsa shumë kishin humbur gishtat apo dorën.
Ai e përshkroi “ditën më të keqe të jetës së tij si mjek”.
“Unë besoj se numri i viktimave dhe lloji i dëmit që është bërë është i madh. Fatkeqësisht, ne nuk ishim në gjendje të shpëtonim shumë sy dhe për fat të keq dëmi nuk është vetëm te sytë – disa prej tyre kanë edhe dëme në tru pos dëmeve në fytyrë”, ka thënë ai.
Këto sulme janë poshtërim për Hezbollahun e mbështetur nga Irani dhe një tregues i mundshëm se Izraeli mund të jetë infiltruar në gjithë rrjetin e tij të komunikimit, që përbën shkeljen më të rëndë të sigurisë në historinë e grupit.
Raportet thonë se në pejxherë mund të jenë vendosur eksplozivë, përpara se të shpërthenin nga distanca. Hezbollahu i kishte shpërndarë pajisjet pas shqetësimeve se telefonat e mençur po gjurmoheshin nga ushtria izraelite dhe agjencitë e inteligjencës për t’i gjetur dhe vrarë anëtarët e grupit. Nuk ishte ende e qartë se si mund të jenë kryer sulmet e të mërkurës.
“Dhimbja është e madhe, fizike dhe po ashtu në zemër. Por, kjo është diçka me të cilën jemi mësuar dhe ne do të vazhdojmë rezistencën tonë”, tha një i ri në Dahiyeh.
“Kjo do të na bëjë më të fortë, kushdo që ka humbur një sy do të luftojë me syrin tjetër dhe ne jemi të gjithë të bashkuar”, tha një grua.
Hezbollahu është zotuar se do të përgjigjet, duke fajësuar Izraelin për sulmet. Si zakonisht Izraeli nuk ka komentuar. Frika po rritet se vala e re e dhunës, që ka shkaktuar në zhvendosjen e dhjetëra mijërave personave në të dy anët e kufirit, mund të përshkallëzojë në një luftë të gjithanshme.
Hezbollahu thotë se sulmet ndaj Izraelit, të cilat filluan pothuajse një vit më parë, janë solidaritet me palestinezët në Gazë dhe se do të ndalen vetëm kur të ketë një armëpushim në Gazë, që për momentin s’po duket se është afër.
Disa orë pas shpërthimeve të fundit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se vendi i tij ishte “në fillim të një faze të re në luftë”, pasi divizioni i 98-të i Ushtrisë së Izraelit është zhvendosur nga Gaza për në veri të Izraelit.
Deri më tash, Hezbollahu ka thënë se nuk është i interesuar për një luftë tjetër të madhe me Izraelin, pasi Libani lufton të rimëkëmbet nga një krizë ekonomike shumëvjeçare. Shumë në Liban thonë se një konflikt nuk është në interes të shtetit. Një Hezbollah i dëmtuar po ashtu nuk është në interes të Iranit, që e përkrah këtë grup.
Por, disa me siguri do të kërkojnë përgjigje të fortë.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një adresim të enjten ka thënë se sulmet e të martës dhe të mërkurës janë “shpallje lufte dhe masakër”. Ai ka thënë se Izraeli do të marrë përgjigjen, ndërsa ka thënë se nuk do të ndalohen sulmet derisa të mos ndalen luftimet në Gazë.