Në 220 ka shkuar numri i të vdekurve si pasojë e tajfunit Yagi në Birmani, derisa ende 80 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ka njoftuar qeveria ushtarake.
Siç raporton BBC, stuhia përfshiu Vietnamin verior, Laosin, Tajlandën dhe Birmaninë në fillim të shtatorit, duke i lënë mbi 500 persona të vdekur në tërë rajonin. Yagi shkaktoi përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu, derisa fshatra të tëra u shkatërruan.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se gjysmë milioni njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm, strehim dhe rroba.

OKB-ja ka bërë të ditur se këto përmbytjet janë më të rëndat në historinë e Birmanisë. Të paktën 630.000 njerëz janë prekur direkt, duke u bllokuar për shkak të rrugëve të pakalueshme dhe urave të dëmtuara. Kërkimet për persona të zhdukur po vazhdojnë.
Që nga 2021-a Birmania po përballet edhe me probleme politike, kur një luftë civile përfshiu vendin, duke bërë që ushtria të marrë në dorë pushtetin pas rrëzimi të qeverisë demokratike. Që atëherë, mijëra persona janë vrarë e miliona të tjerë janë detyruar t'i lënë shtëpitë e tyre.