Më shumë se 250 persona nga 20 kombësi që kishin punuar në qendrat e mashtrimit të telekomit në shtetin Karen të Birmanisë janë liruar nga një grup i armatosur etnik dhe janë dërguar në Tajlandë.
Ata u pritën nga ushtria tajlandeze dhe po vlerësohen për të kuptuar nëse ishin viktima të trafikut të qenieve njerëzore, raporton BBC.
Javën e kaluar kryeministrja tajlandez, Paetongtarn Shinawatra, është takuar me liderin kinez, Xi Jinping dhe premtoi mbylljen e qendrave të mashtrimit që janë përhapur përgjatë kufirit Tajlandë-Birmani.
Qeveria e saj ka ndaluar qasjen në energji dhe karburant nga ana tajlandeze e kufirit dhe ka ashpërsuar rregullat bankare dhe të vizave, në përpjekje për të parandaluar operatorët mashtrues që të përdorin Tajlandën si një vend tranziti për lëvizjen e punëtorëve dhe parave.
Disa deputetë të opozitës në Tajlandë kanë bërë presion për këtë lloj veprimi për dy vjetët e fundit.
Punëtorët e huaj zakonisht joshen në këto qendra mashtrimi nga ofertat e pagave të mira, ose në disa raste mashtrohen duke menduar se do të bëjnë punë të ndryshme në Tajlandë, jo në Birmani.
Mashtruesit kërkojnë punëtorë me aftësi në gjuhët që janë në shënjestër të mashtrimit kibernetik, zakonisht anglisht dhe kinezisht.
Ata janë të detyruar të kryejnë veprimtari kriminale në internet, duke filluar nga mashtrimet e dashurisë të njohura si "kasapja e derrave" dhe mashtrimi i kriptove, deri te pastrimi i parave dhe lojërat e paligjshme të fatit.
Disa janë të gatshëm të bëjnë punën, por të tjerët janë të detyruar të qëndrojnë, me lirim të mundshëm vetëm nëse familjet e tyre paguajnë shpërblime të mëdha. Disa nga ata që kanë shpëtuar kanë përshkruar se janë torturuar.