Qindra njerëz kanë lëshuar Santorinin, një prej vendeve më turistike të Greqisë, duke u larguar për në Athinë për shkak të tërmeteve që lëkundën ishullin ditëve të fundit.
Gjatë mëngjesit të së martës, qindra njerëz janë larguar me një traget për në kryeqytetin e Greqisë, raportoi Reuters.
Qindra tërmete janë regjistruar në detin midis ishujve Santorini dhe Amorgos në detin Egje që nga e premtja, duke bërë që autoritetet të mbyllin shkollat në këta ishuj deri të premten.
Një lëkundje me magnitudë 4.7 u regjistrua nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC) në orën 06:53 në ishull.
"Gjithçka është mbyllur. Askush nuk punon tani. I gjithë ishulli është zbrazur", ka thënë Dori, banor vendas 18-vjeçar që nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij, përpara se të hipte në tragetin për në Athinë. “Do të shkojmë në Athinë derisa të shohim se si do të zhvillohen gjërat këtu”, ka shtuar ai.
Sizmologët kanë këshilluar që të qëndrohet jashtë zonave bregdetare për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut, si dhe të shmangen grumbullimet në ambiente të mbyllura.
Greqia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë, pasi ndodhet në kufirin e pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike, ndërveprimi i vazhdueshëm i të cilave shkakton tërmete të shpeshta.