Botë

Qeveria në Siri premton t’i rritë pagat në sektorin publik për 400%

Ahmad al-Sharaa

Foto: Associated Press

Ministri i Financave i Sirisë, Mohammed Abazeed, ka thënë të dielën se qeveria do t'i rritë pagat për shumë punonjës të sektorit publik për 400 për qind muajin e ardhshëm, pas përfundimit të një ristrukturimi administrativ të ministrive për të rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë.

Rritja, e vlerësuar të kushtojë rreth 127 milionë dollarë, do të financohet nga burimet ekzistuese shtetërore plus një kombinim i ndihmës rajonale, investimeve të reja dhe përpjekjeve për të shkrirë asetet siriane të mbajtura jashtë vendit, raporton Reuters.

"Ky është hapi i parë drejt një zgjidhjeje emergjente për realitetin ekonomik në vend”, ka thënë Abazeed për Reuters, duke shtuar se pagat e këtij muaji për stafin e sektorit publik do të paguhen këtë javë. 

Ministri i Jashtëm i Turqisë ka diskutuar të shtunën me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, lidhur me nevojën për të vepruar në bashkëpunim me administratën e re siriane për të siguruar përfundimin e periudhës së tranzicionit në mënyrë të rregullt.

Ndërkohë, Turqia ka bërë të ditur të dielën se forcat e saj të armatosura "neutralizuan" 32 anëtarë të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, në operacionet ushtarake në Sirinë veriore.

Që kur një rebelim në Siri muajin e kaluar rrëzoi presidentin, Bashar Al-Assad, forcat siriane të mbështetura nga Turqia janë përleshur herë pas here në veri me forcat kurde të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat Ankaraja i konsideron gjithashtu terroriste.