Qeveria e Koresë së Jugut ka shfuqizuar gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake që e kishte vendosur presidenti Yoon Suk Yeol të martën, raporton agjencia “AP”. Vendimi u mor pas një nate të tensionuar ku trupat rrethuan Parlamentin dhe deputetët votuan për ta bllokuar gjendjen ushtarake.
Policia dhe ushtria janë parë të largohen nga Parlamenti pas votimit kundër vendimit të presidentit dhe vendimi i presidentit u shfuqizua zyrtarisht rreth orës 4:30 të mëngjesit të së mërkurës, me kohë lokale, pas mbledhjes së Qeverisë.
Presidenti Yoon kishte marrë vendim për ta shpallur gjendjen ushtarake në orët e vona të së martës me kohë lokale, duke thënë se do t’i eliminojë forcat “anti-shtetërore”, ndërsa ai po lufton me opozitën që e kontrollon Parlamentin. Ai ka akuzuar opozitën se simpatizon Korenë e Veriut komuniste.
Afro tri orë më vonë, Parlamenti veproi dhe mori vendim për ta bllokuar gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake.
Kryetari i Parlamentit, Woo Won Shik tha se gjendja ushtarake “s’është valide” dhe se deputetët do ta mbrojnë demokracinë.
Në total gjendja ushtarake ishte në fuqi për afro gjashtë orë.
Woo përgëzoi trupat se sa shpejt u larguan nga Parlamenti pas votimit për shfuqizim.
Presidenti jugkorean u dorëzua më pas dhe gjendja e jashtëzakonshme ushtarake u shfuqizua nga kabineti qeveritar.
Sipas Kushtetutës së Koresë së Jugut, presidenti mund ta shpallë gjendjen ushtarake gjatë “kohës së luftës, situatave që i ngjasojnë luftës dhe emergjencave të ngjashme kombëtare” që kërkojnë përdorimin e forcave ushtarake për ta ruajtur paqen dhe rendin. Por, është e diskutueshme nëse Koreja e Jugut është në një gjendje të tillë.
Kur shpallet gjendja ushtarake, “masa të veçanta” mund të vendosen për ta kufizuar lirinë e mediave, lirinë e Parlamentit dhe liritë tjera, si dhe fuqinë e gjykatave.
Kushtetuta po ashtu cek se presidenti duhet të respektojë kur Kuvendi vendos për ta larguar gjendjen ushtarake me shumicë të votave.
