Botë

Qetësi në Gazë pas gjashtë javësh luftë

Me lirimin e 13 pengjeve izraelite dhe 39 të burgosurve palestinezë ka nisur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Gaza sot ishte e qetë pas disa javë bombardimesh nga Izraeli. Hamasi ka thënë se do ta respektojë marrëveshjen nëse këtë e bën edhe Izraeli

Armëpushimi katërditësh mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit ka nisur të premten me lirimin e 13 pengjeve izraelite dhe 12 tajlandezëve që po mbaheshin nga militantët në Gazë.

Pas nisjes së armëpushimit nuk është raportuar për luftime. Marrëveshja ka mundësuar pak lehtësim për 2.3 milionë banorët e Gazës që përjetuan tmerrin nën bombardimet izraelite teksa në ditët e fundit kishin mbetur pa bukë dhe ujë.

Shkëmbimi i parë është realizuar të premten pasdite. Izraeli ka liruar 39 të burgosur palestinezë, 24 prej tyre gra dhe 15 adoleshentë, të gjithë të dënuar për sulmet ndaj forcave izraelite.

13 pengjet izraelite janë dorëzuar te Kryqi i Kuq, që kishte një ekip në Gazë. Të liruarit janë dërguar menjëherë në spital.

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshjen për lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë dhe 150 të burgosurve palestinezë. Shkëmbimi do të realizohet brenda katër ditësh.

Hamasi ka konfirmuar se do t’i përmbahet marrëveshjes

“Lëvizja është e angazhuar në zbatimin e marrëveshjes për aq kohë sa armiku e zbaton. Lëvizja mirëpret përpjekjet për t’i dhënë fund agresionit zionist ndaj popullit tonë. Do të mundësohen edhe ndalja e rrethimit të Gazës, shkëmbimit të të burgosurve dhe ndalja e sulmeve në xhaminë Al-Aqsa”, ka thënë Ismail Haniyeh, udhëheqës i Byrosë politike të Hamasit.

Ndërkaq në ankth kanë pritur familjet e pengjeve. Të premten janë mbledhur në Tel-Aviv teksa prisnin për lajmet rreth lirimit të pengjeve të para.

“Secila nënë dhe baba në botë e di se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa që të ta sjellin fëmijën në shtëpi. T’i kthejnë nënën, gjyshërit, djemtë dhe vajzat”, ka thënë Ruth Calderon, nëna e njërit prej pengjeve që po mbahet nga Hamasi.

Me marrëveshjen e realizuar Izraeli ka lejuar të gjitha ndihmat në Gazë. Vetëm të premten 60 kamionë kanë hyrë në Gazë nga Egjipti.

Nga bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Gazë janë vrarë 14 mijë persona, ndërkaq në sulmet e Hamasit në Izrael janë vrarë 1 mijë e 200 persona dhe 240 të tjerë janë marrë peng.

Pak shpresë

Armëpushimi ka ngritur shpresën për fundin e konfliktit që ka bërë rrafsh me tokë Gazën, ka nxitur dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe shtuar frikën se konflikti mund të zgjerohet në Lindjen e Mesme. Sidoqoftë, Izraeli ka deklaruar se është i vendosur të vazhdojë ofensivën masive sapo të përfundojë armëpushimi.

E premtja ishte qetësi në Gazën që u bombardua me raketa dhe artileri, por edhe me ushtrinë që zhvilloi luftime urbane në veri të qytetit.

Izraeli është pajtuar që të lejojë 130 mijë litra naftë çdo ditë gjatë katër ditëve armëpushim, por është sasi shumë e vogël me atë që ka nevojë Gaza.

Në gati shtatë javë luftime, Izraeli ka ndaluar karburantet në Gazë, duke pohuar se përdoret nga Hamasi për qëllime ushtarake.

Agjencitë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara kanë mohuar këto pretendime duke thënë se furnizimi me karburant është mbikëqyrur dhe se do të përdorej për të lehtësuar furnizimin me ujë dhe për funksionimin e spitaleve.

Nuk ka kthim në veri

Ushtria izraelite lëshoi fletëpalosje në jug të Gazës, duke paralajmëruar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur që të mos kthehen në shtëpitë e tyre në veri të territorit, cak i ofensivës tokësore të Izraelit. Edhe pse Izraeli paralajmëroi se do të bllokonte përpjekje të tilla, qindra palestinezë ia kanë mësyrë veriut të premten.

Gjatë armëpushimit, grupi i Hamasit është zotuar se do të lirojë të paktën 50 nga rreth 240 pengje. Hamasi ka deklaruar se Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë.

Të dyja palët janë pajtuar të lirojnë fillimisht gratë dhe fëmijët, në faza duke filluar nga e premtja. Izraeli ka sqaruar se marrëveshja kërkon që armëpushimi të zgjatet një ditë shtesë për çdo 10 pengje shtesë të liruar.

Në fillim të ditës, ambulancat u panë duke mbërritur në bazën ajrore Hatzerim në Izraelin jugor, duke u përgatitur për lirimin. Të liruarit më pas janë dërguar në spitale për vlerësim dhe trajtim, kanë deklaruar zyrtarët izraelitë.

Mes qytetarëve izraelitë që do të lirohen, disa kanë shtetësi të dyfishtë, ka thënë një zyrtar i Hamasit, i cili foli në kushte anonimiteti.

Ministria e Drejtësisë e Izraelit publikoi listën me 300 të burgosur që mund të liroheshin, kryesisht adoleshentë të ndaluar gjatë vitit të kaluar për hedhje gurësh dhe shkelje të tjera të vogla. Tre të burgosur palestinezë pritet të lirohen për çdo peng të liruar.

Shpresa është që “momenti” nga marrëveshja do të çojë në “fundin e kësaj dhune”, ka thënë Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, i cili shërbeu si ndërmjetës së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin.

Vazhdimi i ofensivës

Por disa orë përpara se të hynte në fuqi armëpushimi, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u citua duke u thënë trupave se afati i tyre do të ishte i shkurtër dhe se lufta do të rifillonte me intensitet për të paktën dy muaj të tjerë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar gjithashtu të vazhdojë luftën për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit, për t'i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Gaza dhe për të kthyer të gjithë pengjet.

Kufiri verior i Izraelit me Libanin ishte gjithashtu i qetë të premten, një ditë pasi grupi militant Hezbollah, një aleat i Hamasit, kreu numrin më të madh të sulmeve në një ditë që nga fillimi i luftimeve atje më 8 tetor.

Hezbollahu nuk është palë në marrëveshjen e armëpushimit, por pritej të ndalonte sulmet.

Ushtarët do të lirohen vetëm në këmbim të të gjithë palestinezëve të burgosur nga Izraeli, sipas grupit militant të Xhihadit Islamik, i cili thuhet se mban rreth 40 pengje.

Nuk është e qartë se sa prej pengjeve janë duke shërbyer aktualisht në ushtri ose nëse militantët i konsiderojnë gjithashtu ushtarët rezervë si “pengje ushtarake”.

Sipas Klubit të të Burgosurve Palestinezë, grup mbrojtës, Izraeli aktualisht po mban 7 mijë e 200 palestinezë me akuza apo dënime, duke përfshirë rreth dy mijë të arrestuar që nga fillimi i luftës.