Presidenti i Kinës Xi Jinping, kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe disa liderë të tjerë të BRICS e kanë diskutuar luftën në Ukrainë me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa shefi i Kremlinit e ka udhëhequr samitin që synon t’i tregojë Perëndimit se përpjekjet për ta izoluar Rusinë kanë dështuar, raporton Reuters.
BRICS - ide e formuluar dy dekada më parë, nga banka amerikane shumëkombëshe e investimeve dhe shërbimeve financiare, Goldman Sachs për ta përshkruar rritjen e ndikimit ekonomik të Kinës dhe tregjeve të tjera të mëdha në zhvillim - tani është grup që përbën 45% për qind të popullsisë së botës dhe 35 për qind të ekonomisë globale.
Putini, administrata e së cilit ka mohuar pretendimet për krime lufte ndaj tij, ka hapur samitin të mërkurën, duke thënë se më shumë se 30 shtete kanë shprehur interes për t’iu bashkuar grupit, por se është e rëndësishme të ruhet balanca në çdo zgjerim.
“Do të ishte e gabuar t’i injorojmë interesat e paprecedenta të vendeve të Botës së Jugut dhe së Lindjes për forcimin e kontakteve me BRICS-in”, u ka thënë Putini liderëve të BRICS në Kazan, qytet rus në buzën e lumit Vollga, lumi më i gjatë i Evropës.
“Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të ruhet balanca dhe të parandalohet rënia e efektivitetit të BRICS-it”, ka thënë presidenti rus, duke shtuar se grupi do të diskutonte gjithashtu “konfliktet rajonale akute” – ato në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.
Samiti i BRICS-it po zhvillohet, teksa shefat e financave globale po mblidhen në Washington për të diskutuar dy konfliktet, ekonominë kineze në rritje dhe shqetësimeve se zgjedhjet presidenciale në
SHBA mund të nxisin luftëra të reja tregtare.
Kina dhe India blejnë rreth 90 për qind të naftës së Rusisë. Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë.
BRICS
Akronimi BRIC është krijuar në vitin 2001 nga kryeekonomisti i atëhershëm i Goldman Sachs, Jim O’Neill në një punim kërkimor, që ka vënë në dukje rritjen masive të potencialit të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës në këtë shekull.
Rusia, India dhe Kina kanë filluar të takohen më formalisht, e ndërkohë i është shtuar edhe Brazili, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Arabia Saudite ende nuk është i është bashkuar zyrtarisht.
Më shumë se 20 liderë, duke përfshirë presidentin kinez, Xi, kryeministrin indian, Modi, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe presidentin iranian, Masoud Pezeshkian janë duke e mbajtur samitin e BRICS-it.
Ndihmësi i politikës së jashtme i Putinit ka thënë se zgjerimi i mëtutjeshëm i grupit duhet të marrë parasysh kritere të caktuara dhe se lista e 13 vendeve që mund t’i bashkohen grupit është pranuar.
“Neve do na duhet të flasim me ta për shkallës e gatishmërisë për t’iu bashkuar BRICS-it, pse me anëtarësim të plotë, ose me ndonjë mënyrë më të përshtatshme”, ka thënë Yuri Ushakov.
Lufta
Modi i ka thënë publikisht Putinit, se ai dëshiron paqen në Ukrainë. Xi e ka diskutuar luftën në Ukrainë po ashtu me shefin e Kremlinit.
Rusia, e cila po avancon, kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e ka aneksuar ilegalisht në vitin 2014, rreth 80 për qind të Donbasit – zonë e prodhimit të qymyrit dhe hekurit, që përfshin rajonet, Donetsk dhe Luhansk – dhe mbi 70 për qind të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson.
Putini ka thënë se Moska mund të mos i kthente katër rajonet lindore të Ukrainës, për të cilat thotë se tani janë pjesë e Rusisë dhe se Moska dëshiron që interesat e saj afatgjate të sigurisë të merren parasysh në Evropë.
Komunikata përfundimtare e BRICS-it ka të ngjarë të përfshijë referencë për propozimet e Kinës dhe Brazilit për përfundimin e luftës.
Kina dhe Brazili janë përpjekur të gjejnë mbështetje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga vendet në zhvillim për armëpushim. Ukraina ka thënë se Pekini dhe Brasília po i kryen punët e Moskës.
Putini ka thënë se propozimet kinezo-braziliane mund të jenë baza për përfundimin e luftës. Ai ka dërguar mijëra trupa në Ukrainë në vitin 2022, pas tetë vjetëve luftime në Ukrainën lindore.