Presidenti rus Vladimir Putin do ta vizitojë Vietnamin këtë javë, duke theksuar besnikërinë e këtij vendi ndaj Rusisë dhe duke e bërë ShBA-në të reagojë, raportoi të hënën Reuters.
Kjo vizitë po realizohet pas shmangies që Hanoi zyrtar i bëri Samitit të Paqes në Ukrainë që është mbajtur në Zvicër fundjavën e kaluar.
Putini pritet të takohet me presidentin e ri të Vietnamit, To Lam, dhe liderë të tjerë gjatë vizitës dy-ditore në Hanoi të mërkurën dhe të enjten.
Shtetet e Bashkuara që përmirësuan marrëdhëniet me Hanoin vitin e kaluar dhe që janë partneri kryesor tregtar i Vietnamit, reaguan ashpër.
"Asnjë vend nuk duhet t'i japë Putinit platformë për të promovuar luftën e tij dhe ta lejojë atë të normalizojë mizoritë e tij”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Hanoi për Reuters kur u pyet për ndikimin e vizitës në lidhjet me Shtetet e Bashkuara. “Nëse ai është në gjendje të udhëtojë lirshëm, kjo mund të normalizojë shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia”, shtoi zëdhënësi, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës që Putin filloi në shkurt të vitit 2022.
Në vizitën e tij të parë shtetërore në Vietnam që nga viti 2017 dhe e pesta në total, Putin pritet t’i nënshkruajë disa marrëveshje, duke përfshirë sektorin e tregtisë, investimet, teknologjisë dhe arsimit.
Këto bisedime do të përfshijnë armë, nga të cilat Rusia ka qenë historikisht furnizuesi kryesor i Vietnamit; energjinë, me kompanitë ruse që operojnë në fushat vietnameze të gazit dhe naftës në zonat e Detit të Kinës Jugore të pretenduara nga Kina; dhe pagesat, pasi të dy vendet kanë luftuar për të kryer transaksione për shkak të sanksioneve të SHBA ndaj bankave ruse.