Rusia ka bërë të ditur të hënën se do të vë në funksion armët taktike bërthamore si pjesë e një stërvitjeje ushtarake pas asaj që Moska i quajti kërcënime nga Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.
Rusia thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë po e shtyjnë botën në prag të konfrontimit midis fuqive bërthamore duke mbështetur Ukrainën me dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake, disa prej të cilave po përdoren kundër territorit rus.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se do të zhvillojë stërvitje ushtarake duke përfshirë këtu përgatitjen e armëve bërthamore jo strategjike. Sipas ministrisë stërvitjet janë urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.
Forcat raketore në Qarkun Ushtarak Jugor, aviacioni dhe marina do të marrin pjesë, ka shtuar Ministria e Mbrojtjes, raporton Reuters.
“Stërvitja synon të sigurojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Rusisë në përgjigje të deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga disa zyrtarë perëndimorë kundër Federatës Ruse”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë deri më tani fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, me më shumë se 10.600 koka bërthamore të poseduara nga totali prej 12.100 sa janë në botë. Kina ka arsenalin e tretë më të madh bërthamor, e ndjekur nga Franca dhe Britania.
Rusia ka rreth 1.558 koka bërthamore jo strategjike, sipas Federatës së Shkencëtarëve amerikanë, megjithëse ka pasiguri për shifrat e sakta për armë të tilla për shkak të mungesës së transparencës.
Asnjë fuqi botërore nuk ka përdorur armë bërthamore në luftë që kur Shtetet e Bashkuara sulmuan me bombë atomike qytetet japoneze të Hiroshimas dhe Nagasakit në vitin 1945.
Fuqitë e mëdha bërthamore i kontrollojnë në mënyrë rutinore armët e tyre bërthamore, por ndodh shumë rrallë që ato t’i lidhin publikisht stërvitjet e tilla me kërcënime specifike, ashtu siç bën Rusia.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden pati thënë vitin e kaluar se ai mendonte se nuk kishte asnjë perspektivë reale që Rusia të përdorte armë bërthamore, por CNN raportoi se zyrtarët e lartë amerikanë bënë planifikimin e emergjencave, për një sulm të mundshëm bërthamor rus kundër Ukrainës në vitin 2022.
Disa zyrtarë perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se Rusia po bën bllof për armët bërthamore për ta trembur Perëndimin, megjithëse Kremlini ka paralajmëruar vazhdimisht se do ta konsideronte thyerjen e tabusë bërthamore nëse ekzistenca e Rusisë kërcënohej.
Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga aleati afatgjatë i Putinit, Sergei Shoigu, nuk ka specifikuar se cilëve zyrtarë perëndimorë i referohej në deklaratën e saj.
Kremlini në anën tjetër ka thënë se kjo është përgjigje ndaj vërejtjeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, zyrtarëve britanikë dhe një përfaqësuesi të Senatit të SHBA-së.
Macroni e ka bërë publike idenë e dërgimit të trupave evropiane për të luftuar Rusinë në Ukrainë, ndërsa Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron ka thënë se Ukraina ka të drejtë të përdorë armët e ofruara nga Londra për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se deklaratat perëndimore për dërgimin e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë përbëjnë një raund krejtësisht të ri të përshkallëzimit të tensioneve.
Putini e pati paralajmëruar Perëndimin në muajin mars, se një konflikt i drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja, do të nënkuptonte se planeti është një hap larg Luftës së Tretë Botërore, por pati shtuar se vështirë që dikush e dëshironte një skenar të tillë.
Putini është përballur me thirrje brenda Rusisë për të ndryshuar doktrinën bërthamore të Rusisë, e cila përcakton kushtet në të cilat Rusia do të përdorte armë bërthamore, megjithëse Putini pati thënë vitin e kaluar se nuk shihte nevojë për ndryshim.
Putini e konsideron luftën si pjesë të një beteje shekullore me Perëndimin.
Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë e kanë quajtur luftën një rrëmbim toke të stilit perandorak nga një diktaturë e korruptuar. Udhëheqësit perëndimorë janë zotuar të punojnë për humbjen e forcave ruse në Ukrainë, derisa përjashtojnë çdo dislokim të personelit të NATO-s atje.