Botë

Putini urdhëron rritjen e numrit të trupave ruse

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus Vladimir Putin të hënën e ka urdhëruar ushtrinë e vendit ta rrisë numrin e trupave për 180 mijë në një total prej 1.5 milionë, ndërsa vazhdon ofensiva ushtarake ruse në Ukrainë për më shumë se 2 vjet, njofton agjencia “AP”. Dekreti i Putinit, i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Ky dekret e përcakton numrin e përgjithshëm të personelit ushtarak në afro 2.4 milionë, duke përfshirë 1.5 milionë trupa, dhe e urdhëron qeverinë t’i sigurojë fondet e nevojshme. 

Rritja e mëhershme e numrit të trupave ruse ka ndodhur dhjetorin e kaluar, kur një dekret nga Putini ka vendosur numrin e personelit ushtarak rus në rreth 2.2 milionë, duke përfshirë 1.32 milionë trupa. Trupat ruse kanë kryer ofensivën në Ukrainën lindore, ku kanë bërë avancime të qëndrueshme dhe në rritje gjatë muajve të fundit. 

Në qershor, Putini e vendosi numrin e trupave të përfshira në atë që Kremlini e quan “operacion ushtarak special” në Ukrainë në gati 700 mijë. Pas thirrjes së 300 mijë rezervistëve për kundërofensivë në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2022, autoritetet ruse e kanë plotësuar radhët e trupave që luftojnë në Ukrainë me ushtarë vullnetarë, të cilët janë tërhequr nga pagat relativisht të larta.