Botë

Putini thotë se Orbani ka ardhur si udhëheqës i BE-së, flet edhe për Ukrainën

Viktor Orban dhe Vladimir Putin të premten në Moskë

Viktor Orban dhe Vladimir Putin të premten në Moskë

(E përditësuar 15:20) - Presidenti i Rusisë, Vladimit Putin, ka thënë se është i gatshëm të dëgjojë qëndrimin e partnerëve evropianë për çështjen e zgjidhjes së situatës në Ukrainë, teksa të premten ka pritur në takim në Moskë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, vend i të cilit udhëheq Presidencën e Bashkimit Evropian.

Ai njoftoi se kryeministri hungarez Viktor Orban mbërriti në Moskë si udhëheqës i Presidencës së BE-së.

“Sigurisht, jam gati të diskutoj me ju (kryeministrin hungarez Viktor Orban) nuancat e kësaj çështjeje (zgjidhja e situatës në Ukrainë) dhe shpresoj që të më tregoni qëndrimin tuaj, qëndrimin e partnerëve evropianë”, ka thënë Putin.

Orban falënderoi Putinin për pritjen dhe u shpreh se “nga të gjitha llogaritë, Hungaria do të bëhet i vetmi vend në Evropë që do të jetë në gjendje të flasë me të gjithë”.

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Putini deklaroi se ka rënie të tregtisë ndërmjet Rusisë dhe Hungarisë me 35 për qind.

Para se të vizitonte Moskën, Orbani vizitoi Kievin për herë të parë në 12 vjet, ku u takua me presidentin Volodymyr Zelensky.

Zyrtarët e lartë evropianë theksuan se Orbani nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën dhe se qëndrimi i tij në kryeqytetin rus do të bëhet ekskluzivisht në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë. Të njëjtën gjë ka thënë edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, anëtare e së cilës është Hungaria. Ai vuri në dukje se Orbani po udhëton për në Moskë në cilësinë e kryeministrit të Hungarisë dhe se nuk do të përfaqësojë NATO-n në Moskë.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se vizita e Orbanit në Rusi nuk është koordinuar me ta.


Orban mbërrin në Moskë mes kritikave të Perëndimit

(E përditësuar 12:45) - Kryeministri hungarez Viktor Orban të premten pasdite ka mbërritur në Moskë si pjesë e një “misioni paqeje”, ka thënë zëdhënësi i tij Bertalan Havasi.

“Pritet që gjatë qëndrimit në Moskë, Orban të takohet me presidentin rus Vladimir Putin”, ka thënë Havasi për MTI. Vizita e Orbanit në Moskë vjen pasi bëri vizitë të papritur në Kiev më 2 korrik, ku u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

"Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska", ka shkruar Orban në "X", duke e shoqëruar me një fotografi nga aeroporti i Moskës. 

Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi dje, duke cituar një burim nga qeveria hungareze, se Orbani do të udhëtojë sot në Moskë për t'u takuar me Putinin, pas së cilës nxiti reagime nga Perëndimi.


BE-ja kritikon Orbanin për takimin e mundshëm me Putinin

Udhëheqës të Bashkimit Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin mbi takimin e mundshëm mes kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili është raportuar të mbahet të premten në Moskë. 

Orban, është kreu i vetëm i bllokut të BE-së, që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se Orban nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk ka kërkuar sqarime mbi këtë takim të planifikuar.

“Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, ka shkruar Michel në rrjetin social X.

Në fillim të kësaj jave, Orban vizitoi Kievin, prej nga bëri thirrje për armëpushim, si një mjet, që sipas tij, do të përshpejtonte negociatat e paqes. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka pasur marrëdhënie të ftohta me Orbanin, nuk i është përgjigjur publikisht propozimit.

Orban ka qenë kritik i zëshëm i mbështetjes perëndimore për Ukrainën, raporton “BBC”.

Vizita e së martës në Kiev ishte e para e tij në 12 vjet, megjithëse ai u takua vazhdimisht me Putinin gjatë asaj kohe.


Borrell: Orbani në Rusi nuk përfaqëson BE-në

Përfaqësuesi i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se vizita e kryeministrit të Hungarisë e cila mban kryesimin e BE-së, Viktor Orban, në Moskë zhvillohet, ekskluzivisht, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë.

Duke iu referuar raportimeve për një takim të mundshëm të Orbanit në Moskë të premten, ai ka thënë se Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën. “Kryeministri hungarez nuk po përfaqëson kështu BE në asnjë formë", ka thënë Borrell.

“Kryeministri Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën. Qëndrimi i BE-së për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës pasqyrohet në shumë përfundime të Këshillit Evropian. Ky qëndrim përjashton kontaktet zyrtare midis BE-së dhe presidentit Putin. Kryeministri hungarez nuk po përfaqëson kështu BE-në në asnjë formë”, ka shtuar Borrel'.