Botë

Putini thotë se Moska nuk ka plane për ta kapur Kharkivin

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të premten se ofensiva e Moskës në rajonin Kharkiv të Ukrainës synon të krijojë një “zonë tampon”, por nuk ka plane për të kapur qytetin.

Duke folur me gazetarët të premten gjatë një vizite në Harbin të Kinës, Putini ka thënë se Moska nisi sulmet në rajonin e Kharkivit në përgjigje të bombardimeve ukrainase të rajonit rus Belgorod, raporton AP.

“Unë e kam thënë publikisht se nëse Ukraina vazhdon, do të detyrohemi të krijojmë një zonë sigurie, një zonë sanitare”, është shprehur ai.

Putini ka deklaruar po ashtu se trupat ruse po “përparojnë çdo ditë sipas planit”.

Ai shtoi se Rusia nuk ka plane për të kapur Kharkiv për momentin. 

Trupat ukrainase po luftojnë edhe të premten për të ndalë përparimet e forcave ruse në rajonin e Kharkivit, që kanë nisur në fund të javës së kaluar.

Qyteti i Vovxhanskut, i cili ndodhet 5 kilometra nga kufiri rus, ka qenë një pikë e nxehtë në luftimet në ditët e fundit. Autoritetet ukrainase kanë evakuuar rreth 8,000 civilë nga qyteti.

Taktika e zakonshme e ushtrisë ruse është të reduktojë qytetet dhe fshatrat në gërmadha me sulme ajrore përpara se njësitë e saj të hyjnë.

Duke nisur një ofensivë të re në veri të rajonit të Kharkivit më 10 maj, trupat ruse "zgjeruan zonën e luftimeve aktive me pothuajse 70 kilometra", në një përpjekje për të detyruar Ukrainën të përhapë forcat e saj dhe të përdorë trupat rezervë, ka thënë të premten shefi ushtarak i Ukrainës Oleksandr Syrskyi.

Putini është duke zhvilluar një vizitë dy-ditore në Kinë. Ai ka mbërritur në Pekin të enjten, derisa është pritur me nderime shtetërore nga homolgu i tij kinez, Xi Jinping.