Botë

Putini thotë se është i hapur për bisedime të drejtpërdrejta të paqes me Ukrainën

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë se është i hapur për bisedime bilaterale me Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. 

Ai tha se është i hapur për armëpushim më të gjatë, se ai njëditor për Pashkët. 

Putini tha se luftimet kishin rifilluar pas armëpushimit të tij të papritur 30-orësh, të cilin ai e shpalli në mënyrë të njëanshme të shtunën. Të dyja palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit gjatë festës së Pashkëve.

Washingtoni tha se do të mirëpriste një zgjatje të armëpushimit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që ai të zgjatet në një armëpushim 30-ditor për mbrojtjen e objektivave civile.

Rusia hodhi poshtë një propozim të Trumpit muajin e kaluar për një armëpushim të plotë 30-ditor, të cilin Ukraina e kishte pranuar. Zyrtarët amerikanë zhvilluan bisedime paralele me të dyja palët në Arabinë Saudite, por ata ranë dakord vetëm për pauza të kufizuara në sulmet ndaj objektivave të energjisë, të cilat ata akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.

Duke folur për  televizionin shtetëror rus, Putin tha se Moska ishte e hapur ndaj çdo nisme paqeje dhe priste të njëjtën gjë nga Kievi.

“Ne gjithmonë kemi një qëndrim pozitiv ndaj një armëpushimi, prandaj dolëm me një iniciativë të tillë, veçanërisht pasi po flasim për ditët e ndritshme të Pashkëve”, tha Putin.

I pyetur në lidhje me armëpushimin e propozuar 30-ditor nga Zelensky mbi objektivat civile, ai tha: “Kjo është e gjitha një temë për studim të kujdesshëm, ndoshta edhe dypalësh. Ne nuk e përjashtojmë këtë”. 

Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, më vonë konfirmoi se Putini po i referohej mundësisë së bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën.