Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i ka quajtur absurde deklarimet e presidentit rus, Vladimir Putin, se presidenti Volodymyr Zelensky, s'ka legjitimitet për të udhëhequr. Sybiha ka thënë të dielën se Putini ka uzurpuar pushtetin dhe i ka vrarë ose burgosur kundërshtarët, e sipas tij, presidenti rus po i jep leksione botës.
“Vërejtjet e Putinit për legjitimitetin e presidentit të Ukrainës janë absurde. Gjatë qëndrimit të tij çerekshekullor në Kremlin, Ukraina pa tre presidentë që ndërroheshin në zgjedhje të ndershme; presidenti Trump u rikthye për një mandat të dytë pas një fitoreje mbresëlënëse. Kjo është demokraci dhe legjitimitet. Putin uzurpoi pushtetin duke grisur kushtetutën ruse, duke vrarë ose burgosur kundërshtarë, duke shkatërruar mediat e lira, duke organizuar një votim të rremë për veten e tij dhe duke qëndruar në pushtet tashmë më gjatë se Stalini. Tani ky person po i jep leksione botës mbi legjitimitetin”, ka deklaruar ministri ukrainas.
Ai ka thënë se deklarimet e Putinit mbi legjitimitetin e Zelenskyt janë gënjeshtra “që synojnë t’i mashtrojnë liderët dhe publikun e huaj”.
“...Vetëm budallenjtë mund t'u besojnë atyre. Nëse legjitimiteti i dikujt vihet në pikëpyetje, është ai i diktatorit të Moskës, i cili krijon mish topash nga burrat në të njëzetat e lindur ndërsa ishte tashmë në pushtet”, ka shtuar ai.
Putin ka thënë ditë më parë se Zelensky është i paligjshëm dhe ai s'ka të drejtë të nënshkruajë asnjë dokument për negociata paqeje.
“Negociatat mund të zhvillohen me këdo. Por, për shkak të paligjshmërisë (të Zelenskyt v.j.) ai nuk ka të drejtë të nënshkruajë asgjë. Nëse (Zelensky) dëshiron të marrë pjesë në bisedime, unë do të delegoj njerëz që do të zhvillojnë bisedime të tilla. Por çështja është nënshkrimi përfundimtar i dokumenteve”, ka deklaruar ai për mediumin rus, Rossiya 1.
Kremlini ka vazhduar gjuhën propaganduese ndaj Zelenskyt, me qëllim që të diskreditohet qeveria ukrainase.