Botë

Putini synon t’i largojë trupat ukrainase nga Kursku deri më 20 janar, thotë Zelensky

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se qëllimi i presidentit rus, Vladimir Putin është që të largojë trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut "deri më 20 janar të vitit të ardhshëm".

"Dhe të gjitha këto histori, të gjitha këto goditje demonstrative me raketa të reja, nuk janë vetëm për shfaqje. Ai e ka vendosur këtë detyrë”, ka thënë Zelensky të shtunën, gjatë një konference ndërkombëtare të Grurit, raporton AP.

Gjatë deklaratës, Zelensky ka thënë gjithashtu se gjeneralët e ushtrisë ukrainase duhet të jenë në llogore me ushtarë për të rritur moralin.

"Për mua, një gjeneral që nuk ka qenë në llogore nuk është gjeneral, pavarësisht përvojës së tij. Me gjithë respektin e duhur, sot situata më e vështirë është në vijën e frontit, në llogore", është shprehur Zelensky.

Kjo javë ka shënuar përshkallëzimin më të madh të luftës, që nga pushtimi në shkallë të plotë të Rusisë, dhe shënon një kapitull të ri në luftën gati tre-vjeçare.

Përshkallëzimi filloi me presidentin e SHBA-së, Joe Biden që përmbysi një politikë të kahershme duke i dhënë Kievit lejen për të sulmuar me raketa amerikane me rreze më të gjatë brenda territorit rus, dhe përfundoi me sulmin e Moskës në Ukrainë me një armë të re balistike eksperimentale që ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe ka rritur frikën për përshkallëzim të mëtejshëm.