Botë

“Putini synon kapitullimin e Ukrainës”, skenari amerikan për përfundimin e luftës

Vladimir Putin dhe lufta në Ukrainë

Instituti për Studime të Luftës ka thënë në një raport se ka informacione brenda hapësirës ruse se presidenti Vladimir Putin nuk është i interesuar për një zgjidhje të negociuar të luftës në Ukrainë, e qëllimi i tij thuhet se është “asgjë më pak se kapitullimi total i Ukrainës”.

“Zëra të shquar brenda hapësirës ruse vazhdojnë të theksojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është i interesuar për një zgjidhje të negociuar të luftës në Ukrainë, që rezulton në ‘asgjë më pak se kapitullimi total i Ukrainës”.

Në raportin që u publikua të martën thuhet se edhe oligarku rus i lidhur me Kremlinin, Konstantin Malofeev, ka thënë se Putini “do të refuzojë secilin plan për negociata të paqes”, duke refuzuar edhe propozimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

“Malofeev pohoi se Kremlini do të marrë në konsideratë negociatat e paqes me administratën e re vetëm nëse Trumpi ndryshon politikën e SHBA-së, që lejon Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë, të siguruara nga Perëndimi për të qëlluar Rusinë”, thuhet në raportin e Institutit.

Duke cituar intervistën e Malofeevit për “Financial Times”, Instituti përmendi edhe faktin se Putini s’ka interesim për negociata “pavarësisht se kush i ndërmjetëson ato”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se rimarrja e pjesëve të territorit ukrainas mund të duhet të arrihet me mjete diplomatike dhe jo me forcë ushtarake.

Në një intervistë me agjencinë japoneze të lajmeve, Kyodo Neës, Zelensky ka deklaruar se është e vështirë të rimarrë me forcë disa nga pjesët e pushtuara ruse të vendit të tij, duke përfshirë gadishullin e Krimesë që Rusia aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

“Ushtrisë sonë i mungon forca për ta bërë këtë. Kjo është e vërtetë. Ne duhet të gjejmë zgjidhje diplomatike”, ka thënë Zelensky.