Disa orë pasi liderët evropianë u pajtuan që të vazhdojnë tutje në sigurimin e paqes në Ukrainë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka sugjeruar një qeverisje të përkohshme atje nën mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Putini ka thënë se qeverisja tranzicionale me mbështetjen e OKB-së mund t’i hapë rrugë bisedimeve për përfundimin e konfliktit.
Ai ka shtuar se qeveria do të mbikëqyrej nga OKB-ja deri kur zgjedhjet mund të mbaheshin për t’ia dhënë pushtetin asaj që ai e ka quajtur “qeveri e aftë”, raportoi BBC.
Të enjten në Paris, liderët e Britanisë dhe Francës njoftuan në një takim se do t’i bëhej më shumë presion Putinit për t’i dhënë fund luftës. Kryeministri britanik, Keir Starmer, e akuzoi Putinin se “po luan lojëra dhe po luan për kohë”.
Ndërkohë luftimet vazhdojnë. Gjatë natës Rusia ka lëshuar sulme në Dnipro, Nikopol, Pokrovsk dhe Marhanetska, duke dëmtuar infrastrukturë.