Botë

Rusia dhe Vietnami duan forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, thotë Putini

To Lam dhe Vladimir Putin

To Lam dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

E përditësuar (12:15) - Presidenti vietnamez To Lam shprehu gatishmërinë e Vietnamit për të punuar me Rusinë, gjatë një ceremonie të nënshkrimit të një dokumenti bashkëpunimi në Hanoi të enjten, së bashku me presidentin rus Vladimir Putin.

“Të dyja palët bien dakord që të vazhdojnë të zbatojnë me efikasitet projekte të rëndësishme në fushën e energjisë, naftës dhe gazit dhe të krijojnë kushte të favorshme për ndërmarrjet nga të dy vendet për të zgjeruar investimet në territoret e njëri-tjetrit, sipas ligjit të të dy vendeve dhe të drejtës ndërkombëtare, në veçanti”, ka deklaruar Lam, raporton AP.

“Të dyja palët dëshirojnë të bashkëpunojnë më tej në mbrojtje dhe siguri, për të përballuar sfidat e sigurisë jotradicionale sipas të drejtës ndërkombëtare dhe praktikës së përbashkët, që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë”, ka shtuar ai.

Putini ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me Lamin gjatë vizitës së tij shtetërore, që vjen pasi Moska po kërkon të forcojë lidhjet në Azi për të kompensuar izolimin ndërkombëtar në rritje për veprimet e saj ushtarake në Ukrainë.

Të dy liderët nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim të mëtejshëm në arsim, shkencë dhe teknologji, energji, ndryshime klimatike dhe shëndetësi.Putini ka mbërritur në Pallatin Presidencial të Vietnamit të enjten pasdite, ku u përshëndet nga nxënës të shkollës që valëvitnin flamujt rusë dhe vietnamezë.

Atje ai shtrëngoi duart dhe përqafoi presidentin e ri të Vietnamit, To Lam përpara një takimi dypalësh dhe një njoftimi të përbashkët për mediat.

Putini ka mbërritur në Hanoi të enjten herët në mëngjes nga Koreja e Veriut, ku ai dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un nënshkruan një marrëveshje që premton ndihmë të ndërsjellë në rast lufte.

Pakti strategjik që mund të shënojë lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, vjen ndërsa të dy përballen me përplasje të përshkallëzuara me Perëndimin.

Udhëheqësi rus është planifikuar gjithashtu të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong, politikani më i fuqishëm i Vietnamit.


Putini shkon në Vietnam: Një miqësi që refuzon të vdesë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka arritur në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, pas vizitën që pati në Korenë e Veriut.

Vizitat e Putinit po interpretohen si demonstrim i mbështetjes diplomatike që Rusia ka ende në rajon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kritikuar shtetet se po promovojnë luftën e Putinit në Ukrainë.

Vietnami ende mban lidhjet historike me Rusinë edhe pse punon që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Evropën dhe SHBA-në.

Lidhjet e Vietnamit me Rusinë janë të afërta dhe shkojnë prapa me dekada, te mbështetja vitale ushtarake, ekonomike dhe diplomatike nga ish-Bashkimi Sovjetik për shtetin vietnamez në vitet 1950.

Vietnami i ka përshkruar marrëdhëniet si “të mbushura me besnikëri dhe mirënjohje”.