Botë

Putini përfshihet në teori konspirative, kritikon Perëndimin dhe flet për “miliardin e artë”

Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar për vizitën në Kinë, ndërsa ka dhënë intervistë për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua për marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit dhe marrëdhëniet e Rusisë me vendet perëndimore.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë, Putin ka thënë se kanë marrëdhënie që kanë qenë gjithmonë të bazuara në parimet e barazisë dhe besimit, respektit të ndërsjellë për sovranitetin dhe respektimit të interesave të të tjerëve.

“Xi Jinping është një politikan që ka stil komunikimi respektues, miqësor, të hapur dhe në të njëjtën kohë biznesi. Secili nga takimet tona nuk është vetëm komunikim midis miqve prej kohësh, por edhe një shkëmbim i frytshëm mendimesh për çështjet më urgjente të agjendës dypalëshe dhe ndërkombëtare”, ka thënë Putin.

Gjithashtu, presidenti rus është i mendimit se Moska dhe Pekini mbrojnë me vendosmëri diversitetin qytetërues, barazinë dhe origjinalitetin e vendeve.

“Rusia, ashtu si Kina, qëndron në mënyrë të vendosur mbi parimet e diversitetit të kulturave, qëndron për barazinë e tyre dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”, ka thënë Putin.

Duke folur për luftën në Ukrainë, presidenti rus kritikoi Perëndimin si zakonisht.

“Ne duam zgjidhje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të drejtë të këtij konflikti përmes mjeteve paqësore dhe jemi të hapur për dialog me Ukrainën. Megjithatë, problemi kryesor është besueshmëria e të gjithëve, pasi po flasim për vende, qarqet sunduese të të cilave preferojnë një botë që nuk bazohet në të drejtën ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Në këtë intervistë, Putin preku edhe termin “miliard i artë”, i cili është koncept i teorisë konspirative që ka qenë veçanërisht i përhapur në Rusi që nga periudha e Bashkimit Sovjetik, sipas të cilit disa elita perëndimore në mënyra të ndryshme përpiqen të rishpërndajnë një pjesë të madhe të pronave në favor të të pasurve, dhe se me atë rast gjoja po përpiqen të shkatërrojnë Rusinë dhe popullsinë e saj.

“Toka është djepi i njerëzimit, shtëpia jonë e përbashkët dhe të gjithë ne jemi banorë të barabartë të saj. Jam i sigurt që këtë këndvështrim e ndajnë shumica e njerëzve në planet. Megjithatë, duket se vendet që e konsiderojnë veten si të ashtuquajtur ‘miliardë të artë’ nuk mendojnë kështu”, ka theksuar Putini.

LEXO EDHE: