Botë

Putini paralajmëron konflikt global

Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka akuzuar të enjten Perëndimin për nxitjen e një konflikti global. Duke iu referuar vendit të cilit ai udhëheq, Putini ka thënë se askush nuk do të lejohet të kërcënojë fuqinë më të madhe bërthamore në botë.

Ndërkohë që trupat ruse po përparojnë në luftën kundër forcave të Ukrainës të mbështetura nga Perëndimi, Putini akuzoi elitat “arrogante” perëndimore se e kanë harruar rolin vendimtar të luajtur nga Bashkimi Sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë naziste.

“Ne e dimë se çfarë ndodh nga teprica e ambicieve të tilla. Rusia do të bëjë gjithçka për të parandaluar një përplasje globale”, ka deklaruar Putini.  

“Por në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë askënd të na kërcënojë. Forcat tona strategjike janë gjithmonë në gjendje gatishmërie për luftë”, ka shtuar ai.

Putini, e konsideron luftën me Ukrainën, si pjesë të një lufte me Perëndimin, për të cilin thotë se poshtëroi Rusinë pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës.

Ukraina dhe Perëndimi janë zotuar të mposhtin Rusinë, e cila aktualisht kontrollon rreth 18% të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, dhe pjesë të katër rajoneve në Ukrainën lindore. Rusia thotë se tokat, dikur pjesë e perandorisë ruse, tani janë përsëri pjesë e Rusisë, raporton Reuters.