Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenky, gjatë intervistës për media në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, ka theksuar se duhet të ketë garancione të forta të sigurisë për Ukrainën gjatë bisedimeve me Rusinë, raporton “The Guardian”.
Në një pikë ai sugjeroi se Rusia e Putinit mundë të sulmojë NATO-n vitin e ardhshëm nëse nuk parandalohet me garancione të sigurisë.
“Ata mund të avancojnë në Ukrainë, ose do të shkojnë në Poloni ose vendet Baltike, dhe mendoj se kjo është ideja. Dhe mendoj se e gjithë ajo që kam nga inteligjenca... është se ai po përgatitet për luftë kundër vendeve të NATO-s gjatë vitit të ardhshëm. Kjo është ajo që mendoj, nuk e di, nuk kam 100%... por me bekimin e zotit, ne do të ndalojmë këtë djalë të çmendur”.
Zelensky i gatshëm për bisedime, por s’do të njohë humbjen e territorit të pushtuar
Gjatë konferencës, Zelensky ka deklaruar se “unë i kam thënë presidentit Trump se jam i gatshëm për bisedime në çdo kohë – pa kushte”. “Ne jemi të përgatitur për të diskutuar gjithçka, nga vendosja e trupave deri te NATO”, ka theksuar ai.
Zelensky ka shtuar se vija e tij e vetme e kuqe është kundërshtimi për të njohur territoret e pushtuara ukrainase si territore ruse.
“Ligjërisht, nuk do t’i njohim kurrë këto territore si ‘ruse’ ose çfarëdo tjetër – ato janë ukrainase. Është një vijë e fortë e kuqe: është në kushtetutën tonë. Dhe vetëm populli i Ukrainës mund ta vendosë këtë”.
Sipas tij garancionet e sigurisë për Ukrainën janë po aq, në mos më të rëndësishme sesa anëtarësimi formal në NATO.
“Sot, as Amerika apo presidenti Trump nuk është i gatshëm të diskutojë NATO-n. Ata besojnë se Ukraina nuk mund të jetë pjesë e NATO-s. Ata i shohin aspiratat e Ukrainës për në NATO, siç shkruhet në kushtetutën tonë, si arsye kyçe për pushtimin e Rusisë”.
“A duam të jemi në NATO? Po. Por a është vetëm fjala ‘NATO’? Jo – është për garancione të sigurisë”, ka theksuar presidenti ukrianas.
Për këtë çështje ai ka deklaruar se problemi kryesor do të jenë specifikat e garancioneve të sigurisë, që përfshinë parametrat e misionit paqeruajtës dhe madhësinë e ushtrisë së Ukrainës.
Nëse Ukraina nuk hyn në NATO, Zelensky mendon se ushtria e Ukrainës do të duhej të rritej në 1.5 milion trupa. Putini efektivisht e dëshiron ushtrinë ukrainase të paarmatosur.
Putini nuk do paqe sipas Zelenskyt
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përsëritur qëndrimin e tij se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk dëshiron paqe duke iu referuar sulmit të mbrëmshëm rus në centralin bërthamor në Çernobil, raporton “BBC”.
Një dron që fluturoi shumë poshtë sulmoi centralin bërthamor të Çernobilit, që Zelensky thotë se ishte i qëllimshëm për të përkuar me Konferencën e Munihut. “Putini definitivsht nuk dëshiron paqe”, ka shtuar ai në një deklarim për gazetarë.
Po ashtu Zelenski ka deklaruar se inteligjenca e vendit të tij tregon se Rusia po përgatitet për luftë me NATO-n vitin e ardhshëm.
Për takimin e ardhshëm me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance, Zelensky ka thënë se “janë disa vendime që merren vetëm në nivelin e presidentëve”.