Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se duhet të reduktohet përdorimi i monedhave të huaja dhe të rriten ato të vendeve të BRICS-it, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahen në St.Petersburg.
Gjatë fjalimit, ai u shoqërua nga presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa dhe ai i Bolivisë, Luis Alberto Arce Catacora.
Putini ka theksuar se pavarësisht pengesave, Rusia është ende një nga liderët ekonomikë në botë.
“Pavarësisht të gjitha pengesave dhe sanksioneve të paligjshme, jemi ende një nga liderët ekonomikë në botë. Vendet mike, ato që nuk i janë bashkuar sanksioneve, përbëjnë tre të katërtat e qarkullimit tregtar të Rusisë dhe unë i përgëzoj për këtë”, ka thënë Putin.
Disa vende, duke përfshirë Indinë dhe Kinën, kanë forcuar lidhjet ekonomike me Rusinë që kur Putini filloi agresionin kundër Ukrainës, shkruan Sky News.
Ndër të tjera, Putini ka thënë se Rusia duhet të rrisë përdorimin e monedhave joperëndimore dhe se duhet të reduktojë importet.
“Tregtia me Azinë po rritet dhe pothuajse dy të pestat e tregtisë së jashtme ruse është në rubla, ndërsa përdorimi i dollarit, euros dhe monedhave të tjera perëndimore është ulur. Ne do të përpiqemi të rrisim përdorimin e monedhave të vendeve BRICS, ku përfshihen Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Vitin e kaluar, pjesa e pagesave për eksportet ruse në të ashtuquajturat monedha 'toksike' të vendeve armike u përgjysmua, ndërsa pjesa e rublave në transaksionet e eksportit dhe importit po rritet, duke iu afruar 40 për qind”, ka përfunduar Putin.