Botë

Putini me pikëpyetje i thotë “po” armëpushimit

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

“Vetë ideja është korrekte dhe ne sigurisht e përkrahim. Por ka çështje që ne duhet t’i diskutojmë, mendoj se duhet të bisedojmë rreth tyre me kolegët e partnerët tanë amerikanë dhe ndoshta do ta thërras presidentin Trump e të bisedojmë rreth tyre me të”, ka thënë presidenti rus, tek ka komentuar propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se pajtohet në parim me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim 30-ditor në Ukrainë, por ka shtuar se duhet të punohet akoma në disa aspekte dhe se çdo armëpushim duhet të hapë rrugën për paqe afatgjatë.

“Vetë ideja është korrekte dhe ne sigurisht e përkrahim. Por ka çështje që ne duhet t’i diskutojmë, mendoj se ne duhet të bisedojmë rreth tyre me kolegët e partnerët tanë amerikanë dhe ndoshta do të thërras presidentin Trump e të bisedojmë rreth tyre me të”, ka deklaruar Putini gjatë një konference për shtyp në Moskë.

Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka pasur “sinjale të mira” që kanë ardhur nga Rusia dhe ka mbështetur optimizmin në deklaratën e Putinit. Ai përsëriti se është i gatshëm të bisedojë me Putinin dhe shtoi se është koha për të përfunduar luftën.

“Putini dha një deklaratë shumë premtuese, por nuk ishte e plotë”, ka deklaruar Trumpi të enjten në fillim të takimit në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. “Tani do të shohim nëse Rusia është apo nuk është aty. Dhe nëse nuk janë, do të jetë moment shumë zhgënjyes për botën”.

Putini ka përmendur nevojën për të zhvilluar mekanizma për të kontrolluar shkelje të mundshme të armëpushimit dhe ka shtuar se Rusia do të kërkojë garantime se Ukraina nuk do të përdorë armëpushimin për t’u riarmatosur dhe të vazhdojë mobilizimin.

“Ne pajtohemi me propozimet për të ndaluar luftimet, por veprojmë me qëllimin që armëpushimi duhet të çojë në një paqe afatgjatë dhe të largojë shkaktarët rrënjësorë të krizës”, ka deklaruar Putini.

Putini u deklarua për armëpushimin pak orë pasi i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë për bisedime rreth armëpushimit, të cilin Ukraina veçse e ka pranuar. Një këshilltar i Kremlinit ka deklaruar se Putini planifikon të takohet me Witkoffin më vonë.

Përpjekja diplomatike përkoi me pretendimin rus se trupat e saj kanë larguar ushtrinë ukrainase nga qyteza kyç në rajonin rus të Kurskut në kufi me Ukrainën, ku Moska është munduar për shtatë muaj të largojë trupat ukrainase.

Putini ka thënë se duket sikur SHBA-ja e ka shtyrë Ukrainën për të pranuar armëpushimin dhe se Ukraina është e interesuar shkaku i situatës në fushëbetejë, veçanërisht në Kursk.

Duke iu referuar trupave ukrainase në Kursk, ai e vëri në pyetje se çfarë do të ndodhë me ta nëse arrihet armëpushimi. “A do të dalin të gjithë ata që ndodhen në rajonin e Kurskut pa betejë? Apo udhëheqja ukrainase do t’i urdhërojë ata që t’i lënë armët dhe thjesht të dorëzohen?”, u shpreh Putini.

Putini ka falënderuar Trumpin “për vëmendjen e shtuar rreth zgjidhjes në Ukrainë”.

Ai po ashtu ka falënderuar liderët e Kinës, Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut për “misionin e tyre fisnik për të përfunduar luftën”, deklaratë që sinjalizoi përfshirjen potenciale të këtyre vendeve në marrëveshjen e armëpushimit.

Rusia ka deklaruar se nuk do të pranojë paqeruajtës nga asnjë anëtar i NATO-s për të monitoruar prospektet e armëpushimit.

Pretendimi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse se ka rimarrë qytezën e Sudzhas, një zonë operative ukrainase në Kursk, ka ardhur pak orë pasi Putini ka vizituar komandantët e tij në rajonin e Kurskut. Agjencia e lajmeve “AP” nuk ka mundur ta verifikonte këtë pretendim por, sipas uebfaqes proukrainase “DeepState”, që monitoron situatën në linjën e frontit, shihet se aty qyteza e Sudzhas është marrë nga rusët.

Ofensiva e ushtrisë ruse dhe vizita e lartë e Putinit tek trupat e tij erdhën si pasojë e nismës së Trumpit për të përfunduar luftën në mënyrë diplomatike, e cila filloi para tre vjetësh.

Të martën SHBA-ja ka hequr pezullimin e 3 marsit për ndihmën ushtarake për Kievin pas bisedimeve të nivelit të lartë në mes zyrtarëve amerikanë me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite, në të cilat u raportua se ka pasur progres se si të ndalohen luftimet.

Trumpi ka deklaruar të mërkurën se “varet nga Rusia tani” derisa administrata e tij e shtyn Moskën për të pranuar armëpushimin. Presidenti i SHBA-së e ka kërcënuar në mënyrë indirekte Rusinë me sanksione të reja nëse nuk bashkëpunon në përpjekjet për paqe.

Sekretari i Thesarit në SHBA, Scott Bessent, ka thënë për CNBC të enjten se Trumpi “është i gatshëm të vendosë presion maksimal në të dyja anët”, duke përfshirë edhe sanksionet që arrijnë nivelin më të lartë në Rusi.

Ukraina i cilëson manipuluese deklaratat e Putinit

Të gjitha këto deklarata të Putinit presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka quajtur manipuluese. Ai ka thënë se refuzon të gjitha “parakushtet e Putinit”.

“Çfarë kemi dëgjuar nga Rusia janë fjalët shumë të parashikueshme dhe manipuluese të Putinit. Në praktikë ai është duke përgatitur një refuzim”, ka deklaruar Zelensky gjatë një adresimi me videothirrje. “Sigurisht Putini është i frikësuar t’i thotë drejtpërdrejt Trumpit se ai dëshiron të vazhdojë këtë luftë e që ai dëshiron të vazhdojë të vrasë ukrainas”.

Zelenksy po ashtu ka deklaruar se arsyeja pse Moska jep parakushte për armëpushim është që ai të mos arrihet, të mos bëhet i mundshëm.

Ndërkohë vazhdimisht Ukraina ka shprehur shqetësimin që Rusia do ta përdorte armëpushimin për t’u rigrupuar dhe riarmatosur.

Zelensky ka akuzuar të enjten Rusinë në “Telegram”, për atë që ai tha se është përgjigje e ngadaltë ndaj propozimit për armëpushim, duke akuzuar Moskën se po përpiqet të vonojë çdo marrëveshje paqeje. Ai ka deklaruar se Ukraina është “e vendosur që të lëvizë shpejt rreth paqes” dhe shpreson që presioni i SHBA-së do ta bindë Rusinë të ndalojë luftimet.

SHBA-ja akoma ka rreth 3.85 miliardë dollarë në financime të autorizuara nga Kongresi për furnizime të ardhshme të armëve për Ukrainën, por administrata e Trumpit nuk ka shfaqur interes deri tani në përdorimin e atij autoriteti për të dërguar armë shtesë derisa pret se si do të përfundojë nisma për paqe.

Duke sinjalizuar gatishmërinë për armëpushim në një kohë kur ushtria ruse ka përparësinë në luftë, Ukraina e ka vënë Kremlinin para një dilemë – a të pranojë armëpushimin dhe t’i përmbysë shpresat për pushtime shtesë, apo të refuzojë ofertën dhe të rrezikojë prishjen e marrëdhënieve vështirë të arritura me Washingtonin.

Baza e ushtrisë ukrainase brenda Rusisë ka qenë në presion të madh për disa muaj nga përpjekjet e rifilluara të forcave ruse, të mbështetura nga trupat verikoreane. Ofensiva sfiduese ukrainase në gushtin e kaluar çoi në pushtimin e parë të një pjese të territorit rus nga trupat e huaja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e ka vënë Kremlinin në siklet.

Putini viziton ushtrinë

Duke folur para komandantëve të mërkurën, Putini ka deklaruar se ai ka pritur që ushtria “të çlirojë plotësisht rajonin e Kurskut nga armiku sa më shpejt”.

I veshur me uniformë ushtarake, Putini ka shtuar “se është e nevojshme të mendohet rreth krijimit të një zonë të sigurisë përgjatë kufirit shtetëror”, në një sinjal që Moska mund të tentojë të zgjerojë pushtimet territoriale duke pushtuar pjesë të rajonit kufitar Sumi në Ukrainë. Kjo ide do të komplikonte një marrëveshje për paqe.

Ukraina pati lansuar ofensivën si kundërpërgjigje për të tërhequr trupat ruse nga fushëbeteja brenda Ukrainës dhe për të krijuar një mundësi për bisedime. Por ofensiva nuk ndryshoi dukshëm dinamikën e luftës.

Institutit për Studime të Luftës, me bazë në Washington, ka thënë se forcat ruse po e kontrollojnë Sudzhan, qytet afër kufirit.

Komandanti kryesor i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskyi, ka thënë se Rusia ka kryer numër të paprecedent të sulmeve në Kursk dhe se si rezultat Sudzha tashmë gati është shkatërruar.

Përgatiti: Shkëlzen Dema