Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është duke organizuar një samit për të dëshmuar që presioni i Perëndimit dhe sanksionet e vëna ndaj tij e Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, nuk po kryejnë punë.
Në qytetin e Kazanit këtë javë, Putini do t’i presë më shumë se 20 liderë shtetesh në samitin e BRICS-it për ekonomitë në zhvillim. Në mes të liderëve të ftuar janë Xi Jinping i Kinës, kryeministri i Indisë Narenda Modi dhe presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, shkruan BBC.
Kremlini e ka cilësuar ngjarjen si ndër më të mëdhatë në politikën e jashtme të Rusisë.
“Mesazhi i qartë është se përpjekjet për ta izoluar Rusinë kanë dështuar”, mendon Chris Weafer, themelues i kompanisë konsulente “Macro-Advisory”. “Është pjesë e rëndësishme e mesazhit nga Kremlini që Rusia po u reziston sanksioneve. E dimë se ka të çara të theksuara nën sipërfaqe. Por në nivel gjeopolitik, Rusia i ka këta miq dhe të gjithë do të jenë partnerë të Rusisë”.
Por kush janë miqtë e Rusisë?
BRICS është emri për bashkëpunimin Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut. Grupimi, që konsiderohet si kundërshtar i botës së udhëhequr nga Perëndimi, është zgjeruar për të përfshirë në vete edhe Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtetet e BRICS-it zënë rreth 45 për qind të popullatës botërore. Ekonomia e tyre është rreth 28 për qind e ekonomisë botërore. Sipas zyrtarëve rusë, janë edhe rreth 30 shtete që duan t’i bashkohen BRICS-it ose synojnë afërsi me shtetet. Disa nga ta do të marrin pjesë në këtë samit.
Sipas raportimeve, lideri i Kremlinit shpreson t’i bindë anëtarët e BRICS-it që të gjejnë një alternativë për dollarin në nivel të pagesave ndërkombëtare.