Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mërkurën se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale.
Ai po ashtu ka thënë se Moska do ta konsideronte çdo sulm ndaj saj të mbështetur nga një fuqi bërthamore, si një sulm të përbashkët, raporton Reuters.
Vendimi i tij për të ndryshuar doktrinën zyrtare bërthamore të Rusisë është përgjigja e Kremlinit ndaj diskutimeve në Shtetet e Bashkuara dhe Britani nëse duhet t'i jepet apo jo Ukrainës leje për të lëshuar raketa perëndimore me rreze të gjatë në Rusi.
Në hapje të një takimi të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Putini ka thënë se ndryshimet ishin në përgjigje të një peizazhi global që ndryshon me shpejtësi, i cili ka sjellë kërcënime dhe rreziqe të reja për Rusinë.
Shefi 71-vjeçar i Kremlinit, vendimmarrësi kryesor për arsenalin e madh bërthamor të Rusisë, ka thënë se donte të nënvizonte një ndryshim kyç në veçanti.
“Propozohet që agresioni kundër Rusisë nga çdo shtet jo bërthamor, por me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor, të konsiderohet si sulm i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse”, ka thënë Putin.
“Kushtet për kalimin e Rusisë në përdorimin e armëve bërthamore janë gjithashtu të fiksuara qartë”, ka shtuar Putin, duke thënë se Moska do ta konsideronte një veprim të tillë nëse zbulonte fillimin e një lëshimi masiv të raketave, avionëve ose dronëve kundër saj.
LEXO EDHE: