Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dështuar të arrijë “qëllime strategjike” në më shumë se 1,000 ditë të luftës në Ukrainë, ka deklaruar të mërkurën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
“Ushtria më e madhe në Evropë ka pushtuar fqinjin e saj, i cili ka inventar shumë më të vogël, shumë më pak kapacitet, dhe 1,000 ditë më vonë, ajo ka arritur shumë pak sukses”, u ka thënë Austin gazetarëve në Laos, raporton CNN.
“Kjo luftë po vazhdon për 1,000 ditë dhe Putini ka dështuar në secilin rast që të arrijë ndonjë nga qëllimet e tij strategjike”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Ukraina ia ka dëshmuar botës se “është e mundur për një shtet më të vogël, me më pak kapacitet, që të mbrojë sovranitetin e tij territorial, nëse popullata e tij është e përkushtuar, dhe nëse i ka disa nga burimet që i nevojiten për ta bërë këtë.
“Disa nga agresorët në botë e kanë kuptuar se kjo nuk është aq lehtë sa mendohet, dhe se kjo ka koston e vetë. Mund t’ju garantoj se autokratët nëpër botë janë duke e parë këtë dhe duke marrë shënime”, është shprehur ai.