Botë

Putini i ofron liderit të ri sirian mbështetje dhe bashkëpunim

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka dërguar një mesazh udhëheqësit sirian, Ahmed al-Sharaa, përmes të cilit ka shprehur mbështetjen e tij në përpjekjet për të garantuar integritetin territorial të Sirisë, dhe ka ofruar "bashkëpunim praktik" të Rusisë për një sërë çështjesh, ka njoftuar Kremlini të enjten.

Rënia në dhjetor e presidentit Bashar al-Assad në duart e rebelëve të udhëhequr nga Sharaa, pas 13 vjetësh luftë civile, e ka detyruar Rusinë të përpiqet të sigurojë bazat e saj në vend. 

Moska është gjithashtu e shqetësuar nga një valë vrasjesh sektare në Siri, raporton Reuters.

Putini i ka thënë Sharaas se ai mbështet "përpjekjet për të stabilizuar situatën në vend sa më shpejt të jetë e mundur në interes të garantimit të sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të tij", ka njoftuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Putini ka konfirmuar gjithashtu "gatishmërinë e vazhdueshme të Rusisë për të zhvilluar bashkëpunim praktik me udhëheqjen siriane “.

Kremlini, i cili ishte një aleat kryesor i familjes së dikurshme të Assadit në pushtet për më shumë se 50 vjet, ka thënë në fillim të këtij muaji se dëshironte të shihte një Siri të bashkuar dhe "miqësore", sepse paqëndrueshmëria atje mund të prekë të gjithë Lindjen e Mesme.