Botë

Putini i hapur për të diskutuar marrëveshje armëpushimi me Trumpin

Vladimir Putin & Donald Trump

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të diskutuar për marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Por ai përjashton mundësinë që të bëjë lëshime të mëdha territoriale dhe këmbëngul që Kievi t’i braktisë ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, ka raportuar Reuters të mërkurën me pesë burime që janë të afërta me politikat e Kremlinit.

Trumpi, i cili është zotuar se do t'i japë fund luftës me shpejtësi, po kthehet në Shtëpinë e Bardhë në një kohë kur Rusia ka epërsi në terren. Moska kontrollon një pjesë të Ukrainës sa shteti amerikan i Virginias dhe po përparon me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të pushtimit të vitit 2022.
Në raportimin e parë të detajuar të asaj që presidenti Putin do të pranonte në çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trumpi, pesë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët rusë thanë se Kremlini mund të pajtohej për të ngrirë luftën përgjatë vijës së frontit.

Mund të ketë vend për negociata mbi ndarjen e katër rajoneve lindore të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhiaa dhe Khersonit, sipas burimeve të Reuters.

Ndërsa Moska pretendon se katër rajonet janë tërësisht pjesë e Rusisë, të mbrojtura nga ombrella bërthamore e vendit, forcat në terren kontrollojnë 70-80 për qind të territorit në lindje të Ukrainës ndërsa rreth 26 mijë kilometra katrorë ende janë nën kontrollin e trupave ukrainase.

Rusia gjithashtu mund të jetë e hapur për t’u tërhequr nga pjesët relativisht të vogla të territorit që mban në rajonet Kharkiv dhe Mykolaiv, në veri dhe jug të Ukrainës, thanë dy nga zyrtarët.

Putini ka thënë këtë muaj se çdo marrëveshje armëpushimi duhet të pasqyrojë “realitetet” në terren, por se kishte frikë nga armëpushimi jetëshkurtër “që do t'i lejonte Perëndimit ta riarmatoste Ukrainën”.

“Nëse nuk ka neutralitet, është e vështirë të imagjinohet ekzistenca e ndonjë marrëdhënieje të mirë fqinjësore midis Rusisë dhe Ukrainës. Pse? Sepse kjo do të thotë se Ukraina do të përdoret vazhdimisht si një mjet në duart e gabuara dhe në dëm të interesave të Federatës Ruse”, i tha Putini grupit të diskutimit Valdai më 7 nëntor.

Dy nga burimet thanë se vendimi i presidentit në largim të SHBA-së, Joe Biden, për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa amerikane ATACMS thellë në Rusi, mund të komplikojë dhe vonojë çdo zgjidhje - dhe të ngurtësojë kërkesat e Moskës. Të martën, Kievi përdori raketat për të goditur territorin rus për herë të parë, sipas Moskës, e cila e cilësoi sulmin si përshkallëzim të madh.

Nëse nuk arrihet armëpushimi, thanë dy burime, atëherë Rusia do të vazhdojë të luftojë.