Presidenti rus, Vladimir Putin ka pritur në takim homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, të premten në Moskë përpara nënshkrimit të një traktati të partneritetit strategjik që përfshin një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes, raporton Reuters.
Pezeshkian, në vizitën e tij të parë në Kremlin që nga fitimi i presidencës korrikun e kaluar, ka theksuar se beson që të dy udhëheqësit mund të ishin në gjendje të finalizonin një marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor në Iran me ndihmën ruse.
“Ne do të diskutojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit tonë dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik”, ka deklaruar Putin.
“Kemi punuar për një kohë të gjatë dhe jam shumë i kënaqur që kjo punë ka përfunduar”, ka shtuar ai, duke theksuar se kjo duhet të nxisë më tej lidhjet tregtare dhe ekonomike mes vendeve.
Moska ka krijuar lidhje më të ngushta me Iranin dhe vendet e tjera armiqësore ndaj SHBA-së, si Koreja e Veriut, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe tashmë ka pakte strategjike me Phenianin, Bjellorusinë, si dhe një marrëveshje partneriteti strategjik me Kinën.
Moska dhe Teherani pretendojnë se lidhjet e tyre gjithnjë e më të ngushta nuk janë të drejtuara kundër vendeve të tjera.
Rusia ka përdorur gjerësisht dronët iranianë gjatë luftës në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara akuzuan Teheranin në shtator të vitit që shkoi se i dërgoi Rusisë raketa balistike me rreze të afërt për t'i përdorur kundër Ukrainës. Teherani mohon se ka furnizuar Rusinë me dronë ose raketa.
Kremlini ka refuzuar të konfirmojë se ka marrë raketa iraniane, por ka pranuar se bashkëpunimi i tij me Iranin përfshin “zonat më të ndjeshme”.