Botë

Putin dhe Xi diskutojnë për Trumpin, Ukrainën dhe Tajvanin

Biseda e Putinit me Xi-ne

Foto: AFP

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Kinës Xi Jinping kanë biseduar të martën rreth ndërtimit të lidhjeve me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, mundësinë e një marrëveshje të paqes për ta ndaluar luftën në Ukrainë  dhe mbështetjen e palëkundur të Moskës për qëndrimin e Kinës ndaj Tajvanit, raporton agjencia “Reuters”.

Xi dhe Putin, kanë folur rreth një orë e gjysmë përmes videolidhjes pasi Trumpi mori detyrën si president i SHBA-së të hënën. Ata propozuan thellim të marrëdhënieve strategjike në mes vete. 
Kina dhe Rusia deklaruan një partneritet “pa limite” në shkurt të 2022-tës kur Putini vizitoi Pekinin, ditë para se të dërgojë dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. Putini e ka përshkruar Kinën si aleat. 

Putin, 72-vjeçar duke folur nga rezidenca e tij në Novo-Ogarevo në periferi të Moskës dhe Xi, 71-vjeçar duke folur nga selia e tij në Pekin, e quajtën njëri-tjetrin si “shokë të ngushtë”. Xi i tregoi Putini për bisedën me Trump të zhvilluar të premten për Tiktokun, tregtinë dhe Tajvanin. 

Xi dhe Putin “kanë shfaqur interes në ndërtimin e marrëdhënieve me SHBA-në në mënyrë të përfitimit të dyanshëm, nëse ekipi i Trumpit shfaq interes në këtë”, ka deklaruar këshilltari i Putinit pë Politikë të jashtme, Yuri Ushakov për gazetarët në Moskë. 

“Thamë se ne jemi të gatshëm të bisedojmë me administratën e re të SHBA-së për konfliktin në Ukrainë”, deklaroi Ushakov.  

Ushakov tha se Putini dëshiron paqe afatgjate në Ukrainë, dhe jo një armëpushim afatshkurtër. Por çdo marrëveshje duhet të marrë në konsideratë interesat ruse. 

Trump ka deklaruar se ai do të jetë “i fortë” ndaj Kinës dhe do të flasë me Putinin për ta ndaluar luftën në Ukrainë. Pas inaugurimit të tij si president, ai ka shtuar se Putini duhet të bëjë një marrëveshje për ta ndaluar luftën, pasi lufta është duke e shkatërruar Rusinë. 

Xi ka bërë thirrje për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe ka akuzuar SHBA-në për nxitjen e konfliktit përmes furnizimit me armë të Kievit. Ukraina është e gatshme për negociata nëse respektohen interesat e saja. 

“Xi do të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e luftës në Ukrainë që Trump ka premtuar – dhe jam i sigurt që do të ndodhë kjo”, kanë deklaruar Graham Allison dhe Douglas Dillon, profesorë në Universitetin e Harvardit. 

Trump e ka përshkruar Xi-në si “një lojtar i mirë pokeri” dhe se ai ka marrëdhënie të mira me Putinin. Por gjatë mandatit të tij të parë ai kishte paralajmëruar udhëheqësin rus se SHBA-ja do ta godasë Rusinë nëse Rusia avancon më shumë në Ukrainë. 

Putin dhe Xi kanë të njëjtin mendim për rendin botëror, e cila e portretizon Perëndimin si në rënie dhe se Kina po e sfidon supermacinë amerikane në shumë fusha.

“Bashkërisht mbrojmë krijimin e një rendi botëror multipolar, dhe po punojmë në interesin e ngurtësimit të sigurisë në pjesën euro-aziatike dhe në tërë botën”, ka deklaruar Putin. 

SHBA-ja e konsideron Kinën si konkurrentin më të madhe dhe Rusinë si kërcënimin më të madh.