Botë

Putin: Bisedimet SHBA-Rusi, shpresë për normalizimin e raporteve

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të enjten se takimi i mbajtur në Stamboll të Turqisë ndërmjet delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atij të Rusisë, “rikthen shpresën” për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve, raporton The Guardian.

Ai ka insistuar gjithashtu se Rusia dhe SHBA-ja janë të gatshme për bashkëpunim, pavarësisht disa përpjekjeve, sipas tij, të “elitave perëndimore për të zhvleftësuar dialogun”. 

Më herët gjatë ditës, diplomatët rusë dhe ata amerikanë u takuan në Stamboll, për të diskutuar normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve dhe planet për të rikthyer misionet diplomatike.

Takimi në Stamboll erdhi pas bisedimeve të javës së kaluar midis delegacionit amerikan dhe delegacionit rus në Riad të Arabisë Saudite, ku u arrit pajtim për të rifunksionalizuar misionet diplomatike, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës që ka për qëllim përmirësimin e raporteve bilaterale.