Botë

Punonjësit e huaj “motori” i Spanjës

Victor Razuri, 41-vjeçar nga Peruja, në fabrikën në Guissona

Victor Razuri, 41-vjeçar nga Peruja, në fabrikën në Guissona

Foto: Associated Press

“Mikpritja e atyre që vijnë këtu me cakun për jetë më të mirë, nuk është vetëm obligim, por edhe hap kyç për të garantuar të ardhmen tonë të përbashkët”, pati thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në Parlament në muajin tetor. Falë punës së emigrantëve, Spanja tani gëzon rritje ekonomike më të madhe se ajo e shumicës së shteteve të Evropës dhe të SHBA-së

Brenda një fabrike prodhimi në Spanjë, njerëz nga 62 kombe punojnë krah njëri-tjetrit në një kompani ushqimi, teksa miliona proshuta bëhen gati në shiritat qarkullues.

Punonjësit e huaj kanë ndihmuar ekonominë e Spanjës të duket si “ëndërr” për botën e industrializuar, në kohën kur qëndrimet anti-imigrim janë vënë në pah në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BonArea nuk do të ishte e mundshme po të mos ishin njerëzit nga shtete të tjera që kanë ardhur të punojnë këtu. Duhet të jemi përjetësisht falënderues ndaj tyre”, ka thënë shefi i sektorit për burime njerëzore në kompani, Xavier Moreno, për “Associated Press”.

Përdorimi i fuqisë punëtore të huaj ndihmoi ekonominë e Spanjës të rritej me rreth 3 për qind vitin e kaluar, duke tejkaluar rritjen mesatare të eurozonës prej 0.8 për qind, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kjo po ashtu e tejkaloi rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që pati rritje 2.8 për qind, sipas parashikimeve. Ndërkohë presidenti Donald Trump është zotuar t’i mbyllë kufijtë e të dëbojë imigrantët që kanë hyrë ilegalisht në shtet.

Ministria e Spanjës për çështje sociale dhe migrim ka thënë se 45 për qind e të gjitha vendeve të punës, të krijuara që nga viti 2022, janë mbushur me përreth gjysmë milioni punëtorë të lindur në shtete të tjera. Gati 3 milionë të huaj tani përbëjnë 13 për qind të forcës punëtore në shtet. 

“Kemi pasur dy mundësi që të përballemi me këtë sfidë”, ka thënë ministrja Elma Saiz. “Që Spanja të jetë shtet i mbyllur dhe i varfër, apo një shtet i hapur dhe përparimtar”.

Një punonjës i huaj në fabrikën e mishit (Foto:AP) 

Pedro Aznar, profesor i ekonomisë në Shkollën e Biznisit “Esade” në Barcelonë, ka thënë se fluksi i punonjësve të huaj ka ndihmuar Spanjën të ecën shumë më mirë se Gjermania, motori tradicional i ekonomisë së Evropës, e që aktualisht është në krizë të industrisë së prodhimit.

Spanja po udhëhiqet nga shërbimet, në veçanti nga sektori në rritje i turizmit. Të huajt zakonisht kryejnë punë me paga të ulëta, e të cilat shumë spanjollë refuzojnë t’i bëjnë. Dhe përderisa Spanja pranon më pak azilkërkues se shtetet tjera evropiane, tani është në pozitë të rrallë, të lakmueshme, të nxisë miliona emigrantë ekonomikë nga Amerika Latine, që mund të pranohen lehtë në tregun e punës në Spanjë dhe në shoqëri falë gjuhës së përbashkët.

Në praktikë, krejt rritja e popullsisë në Spanjë që nga COVID-19 është për shkak të imigrimit. 1.1 milionë njerëz kishin mbërritur që nga viti 2022, sipas Bankës së Spanjës. Ky raport u jep merita të ardhurve për mbështetjen e sistemit të sigurimeve shëndetësore në shtet – sfidë që është e zakonshme edhe për vendet tjera evropiane.

Banka ka thënë se 85 për qind e 433 mijë njerëzve që kishin gjetur vend pune në periudhën janar – shtator të vitit të shkuar, ishin njerëz të lindur jashtë shtetit.

Përmbysja e trendit anti-migrim

Përreth Evropës, rritja e sentimentit anti-migrim ka shpërthyer falë rritjes së partive të ekstremit të djathtë. Spanja ka përjetuar rritje të forcave politike anti-migrim që janë fokusuar më shumë ndaj emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nga shtetet afrikane dhe islamike. Megjithatë, përpjekjet e tyre s’kanë arritur të depërtojnë dhe të kenë sukses. 

Mohamed Es-Saile, 38-vjeçar, që ka hyrë në Spanjë ilegalisht kur ka qenë 16-vjeçar, duke kaluar në enklavën e Ceutas. Ai tani punon ligjshëm si elektricist dhe riparues në “bonArea”.

“Nuk ndiej se ka urrejtje ndaj emigrantëve këtu”, ka thënë Es-Saile. “Nga pikëpamja ime, një person (nga jashtë) mund t’u përshtatet situatave në një shtet të ri, e nganjëherë edhe më mirë se njerëzit e vetë atij shteti”.

Amerikano-latinët kanë përbërë pjesën më të madhe të imigrantëve që kanë arritur ligjshëm në Spanjë. Sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë, mbi 4 milionë amerikano-latinë jetonin në Spanjë ligjshëm më 2023.

Mohamed Es-Saile nga Maroku në departamentin e mekanikës në fabrikën e ushqimit në Guissona (Foto:AP) 

Victor Razuri ishte sjellë nga “bonArea” prej Perusë vitin e shkuar si mekanik dhe elektricist. 41-vjeçari ka thënë se ka pasur pak probleme për t’u përshtatur. 

“Në Peru, nuk shihni shumë njerëz nga pjesë të tjera të botës. Kur erdha këtu, po punoja me njerëz nga Ukraina, nga Maroku dhe nga vende të Amerikës Latine”, ka thënë ai. “Fillimisht ishte pak vështirë, por mendoj se jam përshtatur”.

Për të ndihmuar në integrim të të rinjve, “bonArea” ka ofruar mësime në gjuhën spanjolle dhe katalonjase, ka ndihmuar edhe me lejet e punës dhe u ka gjetur shtëpi e shkolla familjeve të punëtorëve. Përfaqësues të punëtorëve nga shtete të ndryshme takohen rregullisht për të diskutuar për çështjet që lidhen me dallimet kulturore.

“E ardhmja jonë e përbashkët”

Kryeministri socialist, Pedro Sanchez, ka mbrojtur migrimin e ligjshëm, duke tërhequr vëmendjen kah përfitimet ekonomike që i sjell. Spanja ka shtuar rreth 458 mijë imigrantë të autorizuar vitin e shkuar, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave.

Përderisa 31 për qind vinin nga shtetet e Bashkimit Evropian, shtetet që prinin për origjinë të të huajve të futur në Spanjë vitin e shkuar ishin Maroku, Kolumbia, Venezuela, Kina, Peruja dhe Ukraina. 
Emigrantët e rinj zakonisht marrin punë shërbyese, ndërtimtari, nëpër ferma, peshkim apo qendra kujdesi dhe pastrimi.

“Mikpritja e atyre që vijnë këtu me cakun për jetë më të mirë, nuk është vetëm obligim, por edhe hap kyç për të garantuar të ardhmen tonë të përbashkët”, pati thënë Sanchez në Parlament në muajin tetor.

Spanja e plakur kërkon punëtorë

Ndryshimet shoqërore në Spanjë kanë hapur tregun e punës për të rinj pa krijuar shumë tensione dramatike shoqërore, pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë prej 10.6 për qind.

Banka e Spanjës parashikon që Spanja, e cila po plaket, do të ketë nevojë për 30 milionë imigrantë të moshës së punës përgjatë 30 vjetëve të ardhshëm, për të ruajtur bilancin mes punëtorëve dhe pensionistëve plus fëmijët.

Në Barcelonë, Jordi Ortiz, pronar i një kafeneje, ka thënë se nuk ka shans që ai ta mbajë të hapur biznesin e tij pa stafin e përbërë me shumicë nga latino-amerikanët.

“Përbëhemi nga 80 për qind e njerëzve që vijnë prej jashtë dhe 20 për qind që janë nga këtu”, ka thënë Ortiz. “Spanjollët thjesht nuk duan të punojnë në sektorin e shërbimit”.

Emily Soto me origjinë nga Republika Domenikane shërben në një kafene. Ajo dhe familja e saj kishin imigruar në Spanjë në vitin 1998. Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar.

Pamje nga fabrika e ushqimit “BonArea” në Guissona, Lleida të Spanjës. Aty punojnë njerëz nga 62 shtete të ndryshme (Foto:AP) 

“Kur kam ardhur këtu nuk ka qenë askush pos meje në këtë shtet. Mund t’i numëroje me gishta”, ka thënë Soto. “Por tani ata vetëm po vazhdojnë të vijnë”.

Kontraktuesi Victor Lisbona në Barcelona ka thënë se spanjollët më nuk ndjekin hapat e prindërve dhe ka deklaruar që rreth 80 për qind e profesioneve si zdrukthëtar, elektricistë apo profesionistë të ndërtimit me të cilët ka punuar, kanë qenë njerëz të shteteve të tjera, të ardhur në Spanjë.

“Të rinjtë spanjollë nuk duan t’i kryejnë punët e dorës, punët e ndërtimit, të vozisin kamionë, a zdrukthëtari. Ata duan të studiojnë që të bëhen juristë a doktorë”, ka deklaruar Lisbona.

Leje të reja pune për emigrantët

Spanja ka luftuar çështjen e migrimit të paautorizuar nga Deti Mesdhe dhe ka mbështetur marrëveshjet e Bashkimit Evropian me Marokun në përpjekjet për të frenuar flukset e emigrantëve. Ndërkohë rrjedhja e emigrantëve përmes bregut perëndimor të Afrikës në drejtim të ishujve kanarine të Spanjës, ka shkaktuar krizë humanitare. Shumë njerëz vdesin gjatë përpjekjes për të kaluar në Evropë.

Sanchezi vitin e shkuar pati bërë turne në Mauritani, Senegal dhe Gambi për të promovuar një skemë të përkohshme të punës, me të cilën punonjësit afrikanë mund të përfitonin kalim të ligjshëm dhe të sigurt drejt Spanjës. Rezultatet mbetet për t’u parë.

Qeveria po ashtu synon që edhe emigrantët e paligjshëm që gjenden në Spanjë t’i përfshijë në sistem.

Në nëntor, koalicioni i krahut të majtë i Sanchezit kishte njoftuar se do të ofronte leje pune dhe dokumente për rreth 900 mijë të huaj që tashmë ishin futur ilegalisht në shtet në tre vjetët e fundit.

Shpresa ishte që ata do të punojnë e do të paguajnë taksa.

“BonArea” është duke pritur që t’u ofrojë vende pune. Siç ka thënë Moreno, janë rreth 700 vende pune aktualisht në dispozicion në këtë kompani.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qeveria e Spanjës, nga 48.6 milionë njerëzit që jetonin në këtë shtet më 2023, rreth një në gjashtë banor ishte i lindur jashtë shtetit.