Policia e New Yorkut ka publikuar dy fotografi të reja të të dyshuarit, që thotë se kërkohet për t’u marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e kreut të kompanisë amerikane të sigurimeve “UnitedHealthcare”, Brian Thompson, raporton BBC.
Individi ka veshur rroba të errëta të ngjashme me ato të sulmuesit dhe nuk e ka fytyrën të mbuluar në imazhet e fundit.
Autoritetet po vazhdojnë kërkimin për autorin e veprës, përmes pamjeve të reja, përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe një telefoni të hedhur për të identifikuar dhe gjurmuar të dyshuarin.
Hetuesit gjithashtu kanë gjetur se plumbat e gjuajtur drejt shefit ekzekutiv të kompanisë kanë fjalë të gdhendura në to.
Hetuesit kanë bërë të ditur se fjalët “mohoj”, “mbroj” dhe “largoj” ishin shkruar në gëzhojat e gjetura në vendin e sulmit.
Thompson, kreu i kompanisë më të madhe private të sigurimeve në Shtetet e Bashkuara, ishte në New York ku po bëhej gati për të folur në një konferencë investitore.