Papritur, lufta tregtare e Donald Trumpit ka marrë fokus shumë më të qartë.
Në vend që të duket si përplasje me gjithë botën, tani kjo paraqitet shumë më tepër si një betejë në territor të njohur trumpian: Amerika kundër Kinës.
Presidenti amerikan të mërkurën pezulloi tarifat reciproke, që njihen ndryshe si ‘tarifa hakmarrëse’, me dhjetëra shtete për 90 ditë. Por la në fuqi tarifat universale prej 10%.
Por Kina – e cila eksporton gjithçka, nga iPhone deri te lodrat për fëmijë dhe përbën rreth 14% të të gjitha importeve të SHBA-së – është trajtuar shumë më ashpër. Trumpi vendosi t’ia rrisë Kinës tarifat në 125%.
Trumpi ka thënë se rritja erdhi për shkak të gatishmërisë së Pekinit për t’u kundërpërgjigjur me tarifë prej 84% ndaj mallrave amerikane, një veprim që presidenti e përshkroi si “mungesë respekti”.
Por për një politikan që fitoi rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë mbi bazën e një mesazhi anti-Kinë, ka shumë më tepër në këtë se sa thjesht hakmarrje.
Për Trumpin, kjo ka të bëjë me çështje të papërfunduara nga mandati i parë në detyrë.
“Nuk kishim kohë të bënim gjënë e duhur, që po e bëjmë tani”, u tha ai gazetarëve.
Qëllimi është asgjë më pak se përmbysja e një sistemi të vendosur tregtar global, i ndërtuar mbi Kinën si fabrika e botës, si dhe rrëzimi i një ideje dikur të përhapur gjerësisht që e mbështeste këtë sistem – ideja se më shumë tregti, në vetvete, është gjë e mirë.
Për të kuptuar se sa e rëndësishme është kjo çështje në mendësinë e presidentit amerikan, duhet të kthehesh pas në kohë, përpara se ndokush të kishte menduar për të si kandidat të mundshëm për president, e aq më pak si fitues të mundshëm.
Në vitin 2012, tregtia e shtuar me Kinën shihej nga pothuajse të gjithë – liderët globalë të biznesit, zyrtarët kinezë, qeveritë dhe delegacionet tregtare të huaja, korrespondentët ndërkombëtarë dhe ekonomistët e mirënjohur – si vendim i thjeshtë dhe i qartë.
Po nxiste rritjen ekonomike globale, po ofronte furnizim të pafund me mallra të lira, po pasuronte fabrikat e Kinës që po bëheshin gjithnjë e më shumë pjesë e zinxhirëve të furnizimit global, dhe po krijonte mundësi fitimprurëse për korporatat që shisnin produktet e tyre klasës së mesme në rritje të Kinës.
Brenda pak vitesh, Kina e kishte kaluar SHBA-në duke u bërë tregu më i madh në botë për Rolls Royce, General Motors dhe Volkswagen.
Ekzistonte edhe një justifikim më i thellë.
Sipas teorisë, teksa Kina do të pasurohej, qytetarët kinezë do të fillonin të kërkonin reforma politike.
Zakonet e tyre të shpenzimit gjithashtu do të ndihmonin Kinën të kalonte në një shoqëri të orientuar drejt konsumit.
Por aspirata e parë nuk u realizua kurrë. Partia Komuniste në pushtet përkundrazi e forcoi edhe më shumë kontrollin e saj.
Dhe aspirata e dytë nuk ndodhi mjaftueshëm – Kina jo vetëm që vazhdoi të mbështetej tek eksportet, por madje po planifikon hapur të bëhet edhe më dominuese.
Plani famëkeq i saj strategjik – i publikuar në vitin 2015 me titullin Made in China 2025 – përshkruante një vizion të madh të mbështetur nga shteti për t’u bërë lider global në një sërë sektorësh kyç të prodhimit, nga industria ajrore, te ndërtimi i anijeve e deri te automjetet elektrike.
Dhe kështu, një vit pas kësaj, një i panjohur filloi garën presidenciale si i jashtëm, duke argumentuar gjatë fushatës se ngritja e Kinës kishte zbrazur ekonominë amerikane dhe u kishte kushtuar punëtorëve amerikanë vendet e punës dhe dinjitetin.
Lufta tregtare e Trumpit gjatë mandatit të parë theu modelin ekzistues dhe prishi konsensusin. Pasardhësi i tij, presidenti Joe Biden, mbajti në fuqi shumicën e tarifave kundër Kinës.
E megjithatë, ndonëse këto masa pa dyshim i kanë shkaktuar Kinës disa probleme, nuk kanë ndryshuar shumë modelin e saj ekonomik.
Sot, Kina prodhon 60% të veturave elektrike në botë – një pjesë e madhe e tyre nga brende vendase – dhe 80% të baterive që i furnizojnë ato.
Kështu që tani Trumpi është rikthyer, me një tjetër përshkallëzim të ndërsjellë tarifash.
Dhe kjo, ndoshta, do të ishte goditja më e madhe ndonjëherë për sistemin global tregtar të ngritur ndër dekada – nëse nuk do të ishin masat e tjera të tarifave të shpallura herë pas here nga presidenti amerikan këto ditë.
Ajo që ndodh më pas varet nga dy pyetje kyçe.
Së pari, nëse Kina do ta pranojë ofertën për të negociuar.
Dhe së dyti, duke supozuar se përfundimisht e pranon, nëse Kina është e gatshme të bëjë lëshimet e mëdha që Amerika po kërkon – përfshirë ndryshim rrënjësor të modelit të saj ekonomik të bazuar në eksporte.
Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, gjëja e parë që duhet thënë është se ndodhemi në një territor të panjohur, prandaj duhet të kemi kujdes ndaj kujtdo që pretendon se e di si do të reagojë Pekini.
Por ka padyshim arsye për të qenë të kujdesshëm.
Vizioni i Kinës për fuqinë e saj ekonomike – i ndërtuar mbi eksporte të mëdha dhe një treg të brendshëm të mbrojtur fort – është tashmë ngushtësisht e lidhur me idenë për rilindjen kombëtare dhe supremacinë e sistemit të saj njëpartiak.
Kontrolli i rreptë mbi sferën e informacionit nënkupton që Kina, për shembull, me shumë gjasë nuk do t’i hapë tregjet për kompanitë amerikane të teknologjisë.
Por ekziston edhe një pyetje e tretë – dhe kjo i takon Amerikës.
A beson ende SHBA-ja në tregtinë e lirë? Trumpi shpesh sugjeron se tarifat janë diçka e mirë – jo vetëm si mjet për të arritur një qëllim, por si qëllim në vetvete.
Ai flet për përfitimet e Amerikës nga kjo, me qëllim për të nxitur investimet e brendshme, për të inkurajuar kompanitë amerikane të rikthejnë zinxhirët e furnizimit në vend dhe për të rritur të ardhurat nga taksat.
Dhe nëse Pekini beson se ky është qëllimi kryesor i tarifave, mund të vendosë se nuk ka asgjë për të negociuar.
Në vend që të përkrahin idenë e bashkëpunimit ekonomik, dy superfuqitë më të mëdha të botës mund ta gjejnë veten të përfshira në një garë për dominim ekonomik me parimin “fituesi i merr të gjitha”.
Nëse ndodh kjo, atëherë do të shënonte vërtet thyerje të plotë të konsensusit të vjetër – dhe një të ardhme shumë ndryshe, ndoshta edhe shumë të rrezikshme.