Shpërthimi i mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë mund të paraqesë një trend më të errët. Në studimet e tij për pakënaqësinë e të rinjve me demokracinë, Roberto Foa, drejtor i Qendrës për të Ardhmen e Demokracisë në Universitetin e Cambridge-it, vuri në dukje një prirje në rritje për autoritarizëm. Në mungesë të një kujtese personale të jetës nën sundimin autoritar ose të luftës për të arritur demokracinë, të rinjtë janë më pak të dashuruar me sistemin sesa gjeneratat e mëparshme
Shumë persona u befasuan nga shpërthimi i populizmit në vitin 2016, por tani mendojnë se nuk do duhej. Një sërë votuesve në rajone të privuara apo në vende “të mbetura pas” nga globalizmi, iu dha shansi për ta futur atë në sistem, dhe ata e bënë. Pse pati habi?
Tani analistët e sondazheve të opinionit janë befasuar nga një tjetër trend. Në zgjedhjet e këtij muaji për Parlamentin Evropian, partitë e ekstremit të djathtë patën rezultate mjaft të mira, veçanërisht, në mesin e të rinjve.
Disa vjet më parë, “Generation Climate”, grup i të rinjve, të cilët mendohet të jenë pa diskutim liberal dhe progresiv, votonin kryesisht agjendën e partive që ofronin zgjidhje për çështjet e lidhura me ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Por tani, përmes votës së tyre, partitë e ekstremit të djathtë kanë arritur të kapin një në katër vende në Bruksel. Çfarë ndodhi?
Ndoshta “e mbetura pas” nuk është vetëm fenomen gjeografik, por edhe fenomen brezash.
Gen-Z, ata që kanë lindur midis vitit 1995 dhe 2012, kanë kaluar mes krizash të shumta: së pari në atë financiare, pastaj në eurozonë, më pas në pandemi dhe tani në luftë në Evropë. Të rinjtë besojnë gjithnjë e më shumë se do të kenë jetë më të vështirë se prindërit e tyre. Pse një brez i lënë pas duhet të jetë më pak i prekshëm ndaj joshjes së populizmit sesa vendet që kanë mbetur prapa?
Roberto Foa, drejtor i Qendrës për të Ardhmen e Demokracisë në Universitetin e Cambridge-it, dhe studiues kryesor i pakënaqësisë së të rinjve me demokracinë, thekson “dy ndarje të mëdha” në shoqëritë perëndimore: “Ndarja e pasurisë midis rajoneve të suksesshme ekonomikisht dhe atyre që kanë mbetur prapa, dhe ndarja ndër gjenerata apo breza”.
Analistët politikë mund t’i kenë anashkaluar të dyja grupet, sepse ato janë shkëputur prej kohësh. Por tani apatia e tyre po kthehet në antipati, në një dëshirë, edhe një herë, për ta vendosur atë në sistem.
“Nëse jeni sipërmarrës politik që po kërkon të thyejë sistemin e vendosur partiak, këto janë opsionet tuaja, për sa i përket mobilizimit të mbështetjes së re”, është shprehur Foa për CNN-in. Trendi, thotë ai, ka ardhur prej kohësh.
“Jam i befasuar që njerëzit janë të befasuar”, ka shtuar ai.
Mbështetja e të rinjve për partitë e ekstremit të djathtë po ndihet në disa vende evropiane.
Në Gjermani, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), fitoi 16% të votave, nga elektorati nën 25 vjeç në zgjedhjet e BE-së, duke trefishuar shtrirjen e saj demografike nga votimi i mëparshëm në vitin 2019.
Midis votuesve francezë nën 34 vjeç, “Tubimi Kombëtar” (RN) ishte partia më popullore, me 32% të votave, dukë shënuar kështu një rritje prej 10 pikësh në krahasim me vitin 2019.
Në Poloni, 30% e votuesve nën 30 vjeç mbështetën partinë e ekstremit të djathtë “Konfederata”, nga 18.5% sa ishte në 2019-n. Partitë e së djathtës ekstreme shënuan rritje të ngjashme edhe në Holandë, Spanjë, Portugali, Austri e edhe në Itali.
Sa të alarmuara dhe të befasuara duhet të jenë partitë kryesore?

Brezi, jo gjeografia
Paramendoni këto agjenda politikash. Të rinjtë nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat. Nëse fillojnë një biznes, ata do të përjashtohen nga taksat e korporatës për pesë vjet. Studentëve që punojnë me kohë të pjesshme do t’u shtohet diferenca e pagës nga shteti, i cili do të ndërtojë edhe 100 mijë njësi të banesave studentore. Ata gjithashtu mund të udhëtojnë me tren falas.
Do të ishte gabim në qoftë se mendoni se kjo duhet të jetë platforma e së majtës ekstreme. Por jo: Ky ishte propozimi i partisë “Tubimi Kombëtar” (RN), i Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2022, të cilat ajo i humbi me diferencë të vogël.
Të rinjtë, çuditërisht, e donin atë. Pak më pak se 50% e 25-34-vjeçarëve që votuan, zgjodhën Le Pen, krahasuar me vetëm 41% të popullsisë së përgjithshme dhe 29% të votuesve mbi 70 vjeç.
“Vota gri” e çoi Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe Britaninë e largoi nga BE-ja, por e mbajti larg edhe të djathtën ekstreme franceze.
E kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Pasi partia e presidentit francez, Emmanuel Macron, u mposht nga e djathta ekstreme në zgjedhjet e BE-së, ai shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat mund të rezultojnë në ardhjen në pushtet si kryeministër të Jordan Bardella-s, liderit 28-vjeçar të “Tubimit Kombëtar” (RN).
Për Arthur Prevot, kryetar i krahut të të rinjve të “Tubimit Kombëtar” (RN) në Paris, ky është një lajm i mrekullueshëm. Presidenca e Macronit ka dështuar të ofrojë për të rinjtë, ka deklaruar ai.
“Fuqia blerëse është ulur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë shtatë viteve të fundit. Rritja e çmimeve të karburantit dhe të gjitha taksat e ndryshme që janë vendosur, ndikojnë në jetën e përditshme, duke përfshirë edhe timen”, ka thënë 22-vjeçari Prevot.
Shqetësimet e tij ekonomike e shtynë atë që të bashkohet me partinë që së shpejti mund të qeverisë Francën, megjithëse Macroni do të mbetet president.
“Ne shohim njerëz që vuajnë çdo ditë, tek mundohen që të përballojnë jetesën. Ne shohim një situatë të mjerueshme në Francë, veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe emigracionin. Ne duam të reagojmë ndaj kësaj”, ka thënë Jonathan Verbeken, kandidat për deputet i partisë “Tubimi Kombëtar” (RN) në distriktin 15 të Parisit, tek iu ka referuar arsyes kryesore që ai iu bashkua partisë.
Për shumë votues të moshuar, “Tubimi Kombëtar” (RN) mbetet një perspektivë e tmerrshme.
Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të partisë për të “normalizuar” situatën, gjeneratat e mëparshme e kujtojnë origjinën e saj antisemitike e neofashiste.
Por votuesit e rinj duken më pak të shqetësuar nga kjo origjinë, ka deklaruar Simon Schnetzer, autor i një sondazhi të fundit me rininë gjermane.
“Të rinjtë janë votues për herë të parë. Ata janë si një fletë bosh. Ajo që i shtyn ata që të marrin vendimin e tyre është: Kush mund të më ofrojë diçka që u përshtatet më mirë nevojave të mia?”, ka thënë ai.
Mungesa e bagazheve historike, së bashku me shuarjen e çuditshme të partive të qendrës së majtë në shumë pjesë të Evropës, ka lejuar që e djathta ekstreme të duket më “e armatosur” me zgjidhje ekonomike për problemet e të rinjve.
Sarah-Lee Heinrichs, politikane 23-vjeçare nga Partia e Gjelbër Gjermane, ka pranuar se shqetësimet ekonomike janë përhapur edhe më shumë mes të rinjve që nga zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian në vitin 2019, kur të Gjelbrit u bënë partia e dytë më e madhe në Gjermani për herë të parë.
Në vazhdën e pandemisë, luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë dhe rikthimit të inflacionit, ambientalizmi nuk është më prioriteti i të rinjve, ka shtuar ajo.
“Nëse qeveritë nuk ofrojnë siguri sociale, punë të mira dhe një vend për të jetuar që nuk kushton më shumë se 50% e të ardhurave tuaja mujore, atëherë e djathta ekstreme do të rritet”, ka thënë Heinrichs.
Me pasigurinë ekonomike po vjen edhe kundërshtimi më i ashpër ndaj imigracionit, gati një dekadë pasi kontinenti dhe veçanërisht Gjermania mirëpritën një numër rekord refugjatësh që ikën nga lufta në Siri.
Drejt së djathtës
Pasi blloku i saj i qendrës së djathtë siguroi shumicën e vendeve në Parlamentin Evropian, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, doli në skenën në Bruksel për të mbajtur një fjalim. Por toni i saj ishte më i zymtë se sa fitimtar. Ajo foli për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave evropiane: integrimit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Si tingëllojnë këto vlera abstrakte për votuesit e rinj?
“Të rinjtë do të pyesin, a më ndihmon kjo për ndonjë nga nevojat e mia? A më argëton? A më jep siguri? Dhe nëse nuk është asgjë nga këto, është e mërzitshme”, ka thënë Schnetzer.
Ndërkohë që rryma kryesore e Evropës mban fjalime, e djathta ekstreme po fiton ndjekës të shumtë në platformën e mediave sociale “TikTok”.
Emocionet për “të renë”
Nuk është ende e qartë se sa të thella janë këto simpati të ekstremit të djathtë. Në një trend veçanërisht të theksuar te të rinjtë, votuesit janë gjithnjë e më shumë “jo besnikë ndaj ndonjë partie apo platforme të caktuar”, thotë Foa.
“Ata janë shumë të paqëndrueshëm midis një zgjedhjeje dhe zgjedhjes tjetër”, shton ai.
Ata patën bërë fushatë të zhurmshme për partitë e gjelbra në vitin 2019, e besnikëria e tyre mund të ndryshojë përsëri.
Apeli i së djathtës ekstreme gjithashtu mund të zbehet nëse politikanët e saj fillojnë të qeverisin. Jashtë detyrës, e djathta ekstreme nuk është në gjendje të thyejë premtimet, ndërkohë që mund të tregojë paaftësinë për t’i përmbushur nëse qeverisin. Kjo, të paktën, duket të jetë teoria e Macronit.
Por shpërthimi i mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë mund të paraqesë një trend më të errët. Në studimet e tij për pakënaqësinë e të rinjve me demokracinë, Foa vuri në dukje një prirje në rritje për autoritarizëm. Në mungesë të një kujtese personale të jetës nën sundimin autoritar ose të luftës për të arritur demokracinë, të rinjtë janë më pak të dashuruar me sistemin sesa gjeneratat e mëparshme.
Ky sukses i partive të ekstremit të djathtë duhet të jetë një paralajmërim për rrjedhën kryesore të Evropës.
Nuk duhet çuditur nëse të rinjtë pyesin për citimin e famshëm të Churchillit, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha të tjerave”.