Botë

Pse Netanyahu e prishi armëpushimin në Gaza?

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Të dyja Izraeli dhe SHBA-ja fajësojnë Hamasin për rikthimin e luftimeve, pasi grupi militant ka refuzuar të lirojë më shumë pengje para se të vazhdojnë negociatat për përfundimin e luftës – e cila nuk ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Izraeli e ka akuzuar Hamasin për përgatitjen e sulmeve të reja, pa ofruar dëshmi. Grupi militant ka mohuar këto dyshime

Vala e sulmeve izraelite të së martës së hershme, ku u vranë qindra palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës ishte kulmi i përpjekjeve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’u larguar nga armëpushimi me Hamasin që e kishin arritur në janar.

Që nga fillimi i luftës, Netanyahu është përballur me presione antagoniste: Familjet e pengjeve duan që ai të bëjë një marrëveshje me Hamasin për t’i liruar pengjet, derisa partnerët e tij të djathë ekstremë të koalicionit dëshirojnë të vazhdojnë luftën me qëllim që të shkatërrojnë grupin militant.
Të martën, ai duket se ka hedhur shortin për të dytin – dhe administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përkrahur vendimin e njëanshëm të Netanyahut për të dalë nga armëpushimi, për të cilin ata kishin ndërmjetësuar.

Të dyja Izraeli dhe SHBA-ja fajësojnë Hamasin për rikthimin e luftimeve, pasi grupi militant ka refuzuar të lirojë më shumë pengje para se të vazhdojnë negociatat për përfundimin e luftës – e cila nuk ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Izraeli e ka akuzuar Hamasin për përgatitjen e sulmeve të reja, pa ofruar dëshmi. Grupi militant ka mohuar këto dyshime. 

Hamasi – i cili akoma nuk u është përgjigjur ushtarakisht sulmeve izraelite – ka shpenzuar javë duke bërë thirrje për bisedime serioze mbi fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, që bën thirrje për lirimin e pengjeve të mbetura në këmbim të më shumë palestinezëve të burgosur, tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza dhe një armëpushim të qëndrueshëm. 

Këto bisedime supozohej se do të nisnin në fillim të shkurtit. Tani ato mund të mos ndodhin kurrë.

Çfarë thoshte marrëveshja e armëpushimit?

Marrëveshja e arritur në janar, nga presioni i administratës në largim të Bidenit dhe ajo në ardhje e Trumpit, thirrej për një armëpushim të ndarë në faza me qëllim që të lirojë të gjitha pengjet e rrëmbyera nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit të 2023-tës, dhe përfundimin e luftës që e shkaktoi. 
Me fazën e parë, që zgjati nga 19 janari deri me 1 mars, Hamasi ka liruar 25 pengje izraelite dhe ka kthyer trupat e tetë të tjerëve në këmbim për afër 1,800 palestinezë të burgosur, duke përfshirë edhe militantë të rrezikshëm që po kryenin dënime të përjetshme për sulme vdekjeprurëse. Forcat izraelite janë larguar nga zona neutrale, qindra mijëra palestinezë janë kthyer në atë se çfarë ka mbetur nga shtëpitë e tyre, dhe pati rritje të ndihmave humanitare. 

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje, dhe sulmet izraelite kanë vrarë dhjetëra palestinezë që ushtria i akuzonte se janë përfshirë në aktivitete militante apo që kanë hyrë në zonat që janë të ndaluara. Por armëpushimi qëndroi.

Por përsëri, faza e dytë gjithmonë ishte parë si shumë më e vështirë. 

Gjatë muajve me negociata, Netanyahu në mënyrë të përsëritur e ka vënë në dyshim, duke insistuar se Izraeli ishte i vendosur për rikthimin e të gjitha pengjeve dhe shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe politike të Hamasit – dy qëllime të luftës që shumë besojnë se janë të pamundura.

Në një intervistë për TV në qershorin e kaluar, Netanyahu ka hedhur dyshime mbi mundësinë e një armëpushimi të qëndrueshëm para se të shkatërrohet Hamasi. “Jemi të vendosur të vazhdojmë luftën pas një pauze, me synim që të arrijmë qëllimin e eliminimit të Hamasit. Nuk jam i gatshëm të largohem prej saj”, ka deklaruar ai. 

Me 18 janar, pak para armëpushimit, ai deklaroi se “e ruajmë të drejtën për t’u kthyer në luftë nëse është e nevojshme me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”.  

Pse Netanyahu u largua nga armëpushimi?

Pajtimi për një armëpushim të përhershëm me shumë siguri do të fuste Netanyahun në një krizë politike, që do të mund të përfundonte sundimin e tij pothuajse të pandërprerë 15-vjeçar. 

Ministri i Financave i djathtë ekstrem, Bezalel Smotrich, ka kërcënuar me largim nga koalicioni nëse Netanyahu përparon në Fazën e Dytë në vend se të rifillojë luftimet. Partitë opozitare kanë premtuar se do të mbështesin atë në çfarëdo marrëveshje që i sjellë përsëri pengjet, por koalicioni i tij përsëri do të ishte shumë i dobësuar, me shumë gjasë duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

Duke rikthyer luftimet, Netanyahu ka siguruar mbështetjen e vazhdueshme të Smotrichit. Pas sulmeve, lideri izraelit ka rikthyer edhe një aleat të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, partia e të cilit ishte larguar në janar pas armëpushimit, por u rikthye në koalicion të martën.

Përtej manovrimeve politike, synimi i deklaruar i Netanyahus për të shkatërruar Hamasin do të ishte pothuajse i pamundur të arrihej, nëse ai do të kishte qëndruar me marrëveshjen e armëpushimit.
Hamasi u ka mbijetuar bombardimeve izraelite për 15 muaj dhe operacioneve tokësore që kanë vrarë më shumë se 48,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, dhe kanë shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës. Kur filloi armëpushimi, grupi militant menjëherë rivendosi regjimin e tij.

Nuk ka një marrëveshje në atë se kush do të qeverisë Gazën pas luftës. Edhe nëse Autoritetit Palestinez të përkrahur nga Perëndimi i garantohej kontroll formal, Hamasi do të kishte ndikim të fortë në terren dhe do të mund të rindërtonte kapacitetet ushtarake. 

Për shumë izraelitë, veçanërisht baza e fortë e Netanyahut dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, do të dukej si humbje. Do të shtonte kritikat me të cilat ai veçse po përballej mbi dështimet e sigurisë në sulmet e 7 tetorit, në të cilin militantët e udhëhequr nga Hamasi kanë vrarë rreth 1,200 persona, shumica civilë, dhe kanë rrëmbyer 251 të tjerë.

Si e përfundoi Netanyahu armëpushimin?

Pasi faza e parë përfundoi, Netanyahu deklaroi se Izraeli është pajtuar me atë që ai e shpjegoi si propozimi i ri i SHBA-së, sipas të cilit do të lironte gjysmën e pengjeve të mbetura në këmbim për një zgjatje shtatëjavore të armëpushimit dhe një premtim të zbehtë për fillimin e negociatave për një armëpushim të qëndrueshëm. 

Hamasi e mohoi, duke theksuar se propozimi i ri ishte ndryshe nga ai që ata janë pajtuar në janar dhe bëri thirrje për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për Fazën e dytë.

Po ashtu ofroi edhe kthimin e një amerikano-izraeliti dhe trupat e katër pengjeve të tjera për të rikthyer bisedimet në rrugën e duhur, një ofertë që u konsiderua si “luftë psikike” nga Izraeli. I dërguari special i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se Hamasi po fitonte fleksibilitet në publik derisa po bënte kërkesa “komplet jopraktike”. 

Në një përpjekje për të imponuar marrëveshjen e re mbi Hamasin, Izraeli ka ndaluar importet e të gjitha ushqimeve, karburanteve dhe ndihmave të tjera humanitare në Gaza. Më vonë ndaloi edhe energjinë elektrike, duke ndikuar edhe fabrikën e filtrimit të ujit. Po ashtu Izraeli ka njoftuar se nuk do të tërhiqej nga një korridor strategjik në kufirin e Gazës me Egjiptin, siç parashihej në marrëveshje. 
Ditët e fundit, Izraeli ka rritur sulmet në Gaza, me cak njerëzit që ai thotë se po vendosnin eksploziv apo po përfshiheshin në aktivitete të tjera militante. Të martën, rreth orës 02:00 të mëngjesit filloi një nga valët më vdekjeprurëse të sulmeve që nga fillimi i luftës.

Çfarë tha Trumpi për armëpushimin?

Trumpi i mori meritat për arritjen e armëpushimit në janar, por që nga atëherë ai e ka sulmuar atë. Ai ka paralajmëruar se “i gjithë ferri” do të bjerë nëse Hamasi nuk do t’i lirojë menjëherë pengjet, derisa ka shtuar se vendimi për Hamasin i takon Izraelit. 

Trumpi po ashtu ka propozuar që afër dy milionë palestinezët e Gazës të zhvendosen përgjithmonë, që SHBA-ja të mund të marrë pronësinë e Gazës dhe ta zhvillojë si një destinacion turistik. Netanyahu e ka vlerësuar planin, i cili është refuzuar nga të gjithë palestinezët, vendet arabe dhe ekspertët e të drejtave të njeriut, që thoshin se me këtë do të shkelej ligji ndërkombëtar. 

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se është konsultuar para sulmeve të së martës dhe se e ka mbështetur vendimin e Izraelit.