Të rrethuara nga krizat politike dhe ekonomike, dy vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, ndodhen aktualisht në një udhëkryq. Teksa njëra është afër zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, tjetra nuk po arrin të krijojë qeveri të qëndrueshme që do t’i çonte përpara prioritetet shtetërore.
(The Observer) – “Kur Franca dhe Gjermania përparojnë, e gjithë Evropa përparon. Kur ato nuk e bëjnë, ajo ndalet”, kishte deklaruar ish-presidenti francez, Jacques Chirac, pothuajse një çerek shekulli më parë.
Pra, çfarë do të thoshte Chirac, i cili vdiq në vitin 2019, për gjendjen aktuale të motorit të famshëm franko-gjerman, i cili, që nga fillimi i bllokut, ka fuqizuar kaq shumë Bashkimin Evropian.
Motori duket “i prishur”.
Presidenti aktual francez, Emmanuel Macron, emëroi të premten një kryeministër të ri, aleatin e tij besnik qendror François Bayrou. Bayrou bëhet kryeministri i katërt i Francës këtë vit dhe do të ketë detyrën e vështirë të përpiqet ta formojë një qeveri të qëndrueshme, pas rënies javën e kaluar të administratës më jetëshkurtër të vendit që nga viti 1958.
Ndërkohë deficiti i sektorit publik të Francës është rrugës për të kaluar 6.1% të Bruto Produktit Vendor (GDP) këtë vit, më shumë se dyfishi i kufirit të eurozonës. Borxhi publik është 110% e GDP-së dhe është në rritje. Edhe tregjet e obligacioneve këtë muaj e vlerësuan Francën si pak më pak të besueshme se Greqia.
Në Gjermani koalicioni i përçarë i udhëhequr nga qendra e majtë në pushtet për tre vjetët e fundit u shemb muajin e kaluar, nën peshën e kontradiktave të veta ideologjike dhe presionit të krizave të shumta të shkaktuara nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Kushdo që do të bëhet kancelar pas zgjedhjeve të 23 shkurtit, do të duhet të përballet me një sfidë për ta këndellur ekonominë që mori goditje nga sfidat e shumta.
Ngadalësimi i bashkëpunimit me partnerin kryesor tregtar Kinën u ka dhënë gjithashtu një goditje eksporteve gjermane, një forcë tradicionale, ndërkohë që industria shumë e rëndësishme e veturave ka qenë e ngadalshme në zhvillimin e automjeteve shumë tërheqëse elektrike (EV) dhe tani përballet me kërcënimin e rritjes së tarifave të SHBA-së nën presidencën e Donald Trumpit.
Teksa Franca është e paaftë për të mbajtur zgjedhje të reja parlamentare deri në korrik të vitit 2025, dhe Gjermania ndoshta pa një qeveri të re deri në qershor, tensioni politik në krye të dy vendeve më me ndikim të BE-së do të pengojë në mënyrë të pashmangshme vendimmarrjen e BE-së.
Parisi dhe Berlini shihen si boshti kryesor i fuqisë së BE-së, që drejton politikën dhe përcakton konturat kryesore të agjendës së saj. Me të dy kryeqytetet të paafta për të marrë vendime të mëdha politike në mungesë të qeverive të forta, blloku mund të përballet me muaj ose më shumë se kaq, paqartësi.
Vështirësitë paralele ekonomike dhe fiskale të dy qendrave të mëdha do të rëndojnë rëndë edhe BE-në. Disa analistë besojnë se dy ekonomitë më të mëdha të bllokut, që përbëjnë 41% të të gjithë GDP-së së BE-së, do të tkurren ekonomikisht në vitin 2025.
Gjërat nuk mund të ishin më keq, teksa Evropa aktualisht po pret rikthimin e politikave amerikane të administratës Trump. Trump ka fituar mandatin e dytë si president i SHBA-së.
Çka e solli situatën në këtë pikë?
Nuk është shumë e vështirë për t'u kuptuar se si erdhi deri te kjo. Të kuptosh se si Franca dhe Gjermania mund të jenë në gjendje të dalin nga spiralja e tyre e vazhdueshme politike dhe ekonomike, megjithatë nuk është aq e lehtë.
Kur qeveria gjermane ra muajin e kaluar, vëzhguesit ishin më pak të befasuar nga rënia e saj e më shumë që ajo kishte qëndruar duke çaluar për kaq gjatë.
Kur kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e tij të Financave, Christian Lindner, më 6 nëntor, për shkak të një mosmarrëveshjeje buxhetore, ai vuri në lëvizje një zinxhir ngjarjesh që optimistët thonë se i japin vendit një mundësi jetike për rinovim
Shkarkimi i Lindner e la Gjermaninë me një aleancë të pakicës së vogël të socialdemokratëve të Scholz-it (SPD) dhe “Të Gjelbërve”.
Të hënën Scholzi ka humbur votëbesimin në Parlament, duke ua hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani më 23 shkurt.
Nga 717 deputetë të pranishëm, 207 i dhanë Scholzit besimin e tyre, 394 jo dhe 116 abstenuan.
Tani kancelari Scholzi do t'i kërkojë presidentit Frank-Walter Steinmeier ta shpërndajë Parlamentin dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Në fjalimin e tij para ligjvënësve të hënën, Scholzi ka deklaruar se synon të forcojë besimin në të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, një sondazh i fundit vendosi CDU/CSU të qendrës së djathtë në pozitën më të mirë në mesin e votuesve, me 31%, e ndjekur nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë me 18%, SPD e Scholzit me 17% dhe të Gjelbërit me 13%. FDP dhe Aleanca e re konservatore e krahut të majtë e Sahra Wagenknecht po qëndrojnë të dyja afër pragut prej 5% për përfaqësimin parlamentar.
Prandaj, si udhëheqës i ardhshëm i Gjermanisë po shihet Friedrich Merz, një rival prej kohësh i koleges së tij më të moderuar, kristiandemokrates Angela Merkel, mandati 16-vjeçar i së cilës si kancelare e la Merzin në shkretëtirën politike.
Ai e përdori kohën për të ndërtuar një pasuri të vogël si biznesmen, veçanërisht në njësinë gjermane të firmës shumëkombëshe të investimeve “BlackRock”. Merz, temperamenti jashtëzakonisht i ashpër i të cilit me sa duket është zbutur paksa me kalimin e moshës, është zotuar të tërheqë Gjermaninë nga një rënie e thellë ekonomike duke krijuar një linjë më të ashpër ndaj mbrojtjes, Rusisë dhe migrimit.
Por për shkak se aleanca CDU/CSU e qendrës së djathtë të Merzit, duke supozuar se ajo vjen e para, ka pak shanse për të fituar një shumicë absolute, zgjedhja e saj e partnerit të koalicionit në mënyrë të pashmangshme do t’i zbusë planet e tij të reformës ekonomike. Të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.
“Modeli aktual ekonomik i Gjermanisë, në të cilin furnizimi me lëndë djegëse fosile të lira dhe prodhimi i veturave me motorë me djegie luajnë një rol qendror, duket i vjetruar, por politikanët rrallë guxojnë ta thonë këtë hapur”, ka thënë Kai Arzheimer, një studiues politik në Universitetin e Mainzit.
"Unë jam të paktën skeptik se do të ketë një fillim vërtet të ri në të ardhmen e afërt”, ka shtuar ai.
Nëse qeveria e re nuk arrin t'i kapë gjërat shpejt, është AfD-ja kundër migracionit, e mbështetur veçanërisht nga votuesit lindorë, ajo që do të përfitojë më shumë.
Ursula Münch, drejtore e Akademisë për Edukimin Politik në Bavari, ka thënë se me SPD-në që ka të ngjarë të bëhet partneri i Merzit, zhgënjimi mund të rezultojë të jetë mjaft toksik.
“Pritjet e elektoratit, korporatave dhe mediave janë shumë të larta, shumë të larta”, ka thënë ajo, duke pasur parasysh shmangien prej vitesh të problemeve strukturore të ngutshme, ndërsa Gjermania ka mbetur prapa.
"Kjo do ta mbingarkojë çdo qeveri”, ka shtuar ajo.
Por Münch ka deklaruar se konsensusi në zhvillim, se Gjermania duhet t’i trajtojë dobësitë e saja drejtpërsëdrejti, mund t'i ofrojë një mandat bindës një kancelari që lidhet drejtpërdrejt me një shumicë të mjaftueshme.
"Kjo do të më bënte mjaft të sigurt se gjermanët mund të bëhen përsëri më optimistë dhe të zhvillojnë më shumë besim te demokracia”, është shprehur ajo.
Pikëpamjet e analistëve
Problemet aktuale politike të Francës, pasi vendi po kalon periudhën e tij më të keqe të paqëndrueshmërisë politike që nga Lufta e Dytë Botërore, rrjedhin kryesisht nga vendimi i Macronit për ta shpërndarë Parlamentin pasi forcat e tij centriste u mundën rëndë nga “Fronti Kombëtar” i ekstremit të djathtë (RN) të Marine Le Penit në zgjedhjet evropiane të qershorit.
Në zgjedhjet parlamentare, Fronti i Ri Popullor (NFP), një koalicion i partive me prirje të majtë duke filluar nga partia kryesore Socialiste (PS) deri te e majta radikale France Unbowed (LFI), e kryesuar nga Jean-Luc Mélenchon, fitoi numrin më të madh të vendeve.
Aleanca e Macronit doli e dyta dhe “Fronti Kombëtar” (megjithëse përfundoi si partia më e madhe e vetme) u rendit e treta. Parlamenti mbeti i ndarë në tri blloqe afërsisht të barabarta dhe kundërshtare: e majta e gjerë, qendra, dhe e djathta/e djathta ekstreme, asnjëra prej të cilave, në mënyrë thelbësore, nuk gëzoi asgjë që i afrohej shumicës parlamentare.
Pas javësh përplasjeje dhe refuzimi për të emëruar një kryeministër nga e majta, Macroni caktoi për këtë pozitë Michel Barnier, një konservator veteran dhe kryenegociatori i BE-së për Brexit, i mbështetur nga një aleancë e brishtë e pakicës e deputetëve të qendrës dhe të qendrës së djathtë.
Këtë muaj, “Fronti Kombëtar” i ekstremit të djathtë bashkoi forcat me NFP-në e majtë për ta rrëzuar Qeverinë e Barnierit në një mocion votëbesimi mbi buxhetin e vitit 2025, i cili përfshinte rreth 20 miliardë euro rritje taksash dhe 40 miliardë euro shkurtime në shpenzime publike.
Bayrou, i caktuar kryeministër i ri, duhet të përpiqet të krijojë një shumicë më solide qeverisëse, duke përfshirë ndoshta disa nga qendra e majtë, ose të paktën të sigurojë një "pakt josulmues" që nuk do ta linte qeverinë e re të ekspozuar ndaj të njëjtit kërcënim që pati Barnier, një vote mosbesimi e mbështetur nga e majta dhe e djathta ekstreme.
Aritmetika parlamentare, megjithatë, mbetet e njëjtë.
“Macroni duket se po përgatitet për të ndërtuar një pakt më të qëndrueshëm qeverisës me konservatorët, socialistët, komunistët dhe të gjelbërit, të cilët duken të gatshëm të bëjnë kompromise dhe të shmangin një qeveri tjetër në mëshirën e ‘Frontit Kombëtar’”, ka thënë Rym Momtaz nga qendra e “Carnegie” në Evropë.
“Por ky është vetëm një rregullim i përkohshëm. Ai ende nuk ka një zgjidhje për të kthyer mbrapsht rritjen e popullaritetit që Le Pen ka gëzuar që nga viti 2017, dhe shanset e saj të mëdha për t'u zgjedhur presidente në zgjedhjet e vitit 2027”, ka shtuar Momtaz.
Ndërkohë, e gjithë kjo, vështirë se është një shenjë e mirë për problemet fiskale të Francës, marrë parasysh se shkaktari për kolapsin e qeverisë në largim ishte një buxhet shtrëngues.
“Të paktën, Franca duket se e ka mësuar mësimin se ka nevojë për një shtrëngim fiskal të besueshëm, të ngadaltë”, ka thënë ekonomisti John Springford i Qendrës për Reformën Evropiane. Gjermania, e cila ka nevojë për reforma të taksave dhe tregut të punës, nuk e ka bërë ende këtë hap, sipas tij.
Nga perspektiva e BE-së, megjithatë, disa analistë janë optimistë.
"Është një pikëpamje e parakohshme që Franca dhe Gjermania janë në rënie”, ka thënë Mujtaba Rahman nga “Eurasia Group”.
"Deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, ne duhet të shohim një motor franko-gjerman të ringjallur”, ka shtuar ai.
Zgjedhjet e Gjermanisë që pritet të mbahen në shkurt janë "shumë pozitive", sipas Rahman.
"Ne do të kemi qartësi në fillim të vitit, një koalicion më koherent dhe një kancelar më skeptik ndaj Rusisë. Edhe Merzi edhe Macroni do të jenë shumë më të lidhur për çështjet e mëdha sesa ishin Macroni dhe Scholzi.”
Problemet e brendshme të Macronit nuk do të zhduken brenda natës.
“Por duket se ekziston një ndjenjë e përgjegjësisë kombëtare për të formuar një qeveri, për të miratuar një buxhet dhe për të siguruar stabilitetin minimal që i duhet Francës dhe që Evropa ka nevojë ta ketë nga Franca”, ka thënë Rahman.
“Më e rëndësishmja, Trump 2.0 i ka dhënë peshë dhe besim gjithçkaje që Macroni ka thënë për sigurinë, mbrojtjen dhe autonominë strategjike”, është shprehur Rahman.
“Tandemi Paris-Berlin do të ringjallet dhe me një udhëheqje të re, të përmirësuar të BE-së, këta njerëz do t'i japin Evropës mundësitë e saj më të mirë për të zbutur më të keqen e asaj që mund të vijë", ka përfunduar ai.