Qindra protestues janë futur brenda Senatit në Meksikë të martën ndërsa ligjvënësit po diskutonin për një plan për ndryshime në sistemin gjyqësor, duke detyruar kështu të shkohet në pushim për sigurinë e senatorëve, raporton agjencia “AP”.
Partia në pushtet e Meksikës, Morena, arriti të siguronte votat që i nevojiteshin, pasi një anëtar i opozitës e mbështeti atë.
Kjo lëvizje dhe manovrat tjera politike para votimit të planit të mbështetur nga presidenti në largim Andres Manuel Lopez Obrador nxitën edhe më shumë zemërim pas javësh protestash nga punonjës të drejtësisë dhe po ashtu studentë të juridikut.
Kritikët dhe vëzhguesit thonë se plani, në të cilin do të zgjidheshin të gjithë gjyqtarët, mund të kërcënojë pavarësinë e gjyqësorit.
Disa protestues hynë në dhomat e Senatit në përpjekje për të bllokuar votimin, pasi thanë se ligjvënësit nuk po dëgjonin kërkesat e tyre. Protestuesit depërtuan duke shtyrë në mënyrë agresive dhe duke përdorur edhe zinxhirë. Të paktën një personi i ra të fikët pasi protestuesit u futën brenda.
“Gjyqësori s’do të bjerë”, bërtisnin protestuesit.
Atyre iu bashkuan një numër senatorësh opozitarë teksa brohorisni në dhomë.