Izrael

Protestuesit futen në bazën ushtarake pas arrestimit të ushtarëve për abuzim me një palestinez

Protesta Izrael

Foto: Reuters

Protestuesit izraelitë të ekstremit të djathtë janë futur në një bazë ushtarake në shenjë përkrahje për ushtarët që po akuzohen se kanë keqtrajtuar një të burgosur palestinez atje, raporton “BBC”. 
Një turmë e madhe e protestuesve u mblodh jashtë bazës Sde Teiman pasi policia ushtarake izraelite u fut për t’i arrestuar disa rezervistë, që po hetohen zyrtarisht. 

Sde Teiman në afërsi të Beershebas në jug të Izraelit me muaj ka qenë qendër e raportimeve serioze për abuzim kundër të burgosurve palestinezë. 
Të hënën dhjetëra protestues, përfshirë edhe nga deputetët e ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës të Izraelit, kaluan barrierat e bazës, ndërsa nisën thirrjet “ne s’do t’i braktisim shokët tonë, jo për terroristë”. 

Disa ushtarë në bazë raportohet se kanë përdorur sprej kundër policisë ushtarake që erdhi për t’i arrestuar rezervistët. 

Protestuesit po ashtu janë futur në bazën ushtarake Beit Lid në pjesën qendrore të Izraelit, ku rezervistët e akuzuar po merreshin në pyetje. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dënuar futjen në baza ushtarake dhe ka bërë thirrje për “qetësim të menjëhershëm të gjakrave”. 
E ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se duhet lejuar hetimi i sjelljes së ushtarëve, duke shtuar se “edhe në kohë zemërimi, ligji aplikohet për të gjithë”. 

Mirëpo, disa politikanë izraelitë kanë dënuar arrestimet e rezervistëve. Itamar Ben-Gvir, ministër i Sigurisë Kombëtare nga radhë e ekstremit të djathtë, e ka quajtur arrestimin të turpshëm. 

Sipas mediumeve lokale, të paktën nëntë ushtarë izraelitë akuzohen se kanë abuzuar me një të arrestuar palestinez, një luftëtar të dyshuar të Hamasit që ishte kapur në Gaza. 

Ai thuhet se është hospitalizuar me atë që mediumet izraelite e kanë përshkruar si abuzime serioze seksuale dhe lëndime që e kanë lënë të palëvizshëm. 

Ushtria e Izraelit urdhëroi një hetim pas raportimeve.