Qindra palestinezë kanë protestuar të enjten para zyrave të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në Bejrut, duke shprehur kështu solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës, raporton “Associated Press”.
“Ne jemi këtu për t’u solidarizuar me popullin tonë. Ata që po vdesin në Gaza janë fëmijët tanë”, ka thënë njëri prej protestuesve.
Lufta, tashmë në muajin e saj të shtatë, ka lënë të vrarë afro 34 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Lufta në Rripin e Gazës ka shkaktuar katastrofë humanitare dhe ka ngjallur shqetësimin global për situatën në Rafah, qytetin jugor të Gazës, ku 1.4 milionë palestinezë kanë kërkuar siguri nga bombardimet e përditshme të Izraelit.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, është ofruesi më i madh i ndihmës në Gaza.
Kreu i UNRWA-së i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të mërkurën që të sigurojë mbijetesën e agjencisë pasi Izraeli ka kërkuar përsëri shpërbërjen e saj, dhe e ka akuzuar agjencinë se është bërë pjesë e “makinerisë së luftës terroriste” të Hamasit.
Philippe Lazzarini i ka thënë Këshillit të Sigurimit se shpërbërja e UNRWA-së do ta thellonte krizën humanitare të Gazës.