Senati i Argjentinës ka miratuar paketën e diskutueshme të reformës ekonomike të presidentit, Javier Milei, me votimin që u zhvillua ndërsa përplasjet e dhunshme shpërthyen midis protestuesve dhe policisë, jashtë Kongresit.
Demonstruesit në Buenos Aires, të cilët thonë se masat do të dëmtojnë miliona argjentinas, hodhën bomba me benzinë dhe gurë, duke djegur veturat, raporton BBC.
Një numër njerëzish u raportuan të plagosur, derisa mediat lokale e përshkruan skenën të mërkurën si një "fushë beteje".
Reformat, që synojnë ringjalljen e ekonomisë së rënë të vendit, përfshijnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ekonomike, shkurtimin e pensioneve dhe zvogëlimin e të drejtave të punës.
Milei, një ekonomist i krahut të djathtë, u zgjodh president në mes të një krize të thellë ekonomike, të cilën ai ende po përpiqet ta frenojë pas gjashtë muajsh në detyrë.
Inflacioni vjetor aktualisht është afër 300%, ndërsa më shumë se gjysma e argjentinasve tani jetojnë në varfëri.
Masat "shokuese" të Mileit kundërshtohen nga partitë politike të majta, sindikatat dhe organizatat sociale.
Projektligji me 328 nene tani do të shqyrtohet pikë për pikë përpara miratimit të tij të plotë të enjten. Ai më pas do të kthehet në dhomën e ulët për miratimin përfundimtar.