Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë në demonstrata në të gjithë Turqinë, pasi rivali kryesor i presidentit të vendit Rexhep Tajip Erdogan është arrestuar zyrtarisht nën akuzat për korrupsion.

Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, pritet të zgjidhet kandidat presidencial i Partisë Popullore Republikane (CHP) për vitin 2028, nga një votim brendapartiak që është zhvilluar të dielën, raporton BBC.

Në përgjigje të arrestimit të tij, të dielën në mbrëmje është parë rritje e trazirave më të këqija që vendi ka parë në më shumë se një dekadë, teksa protestuesit janë gjuajtur me gaz lotsjellës dhe me plumba gome.

Imamoglu ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

“Nuk do të përkulem kurrë”, ka shkruar ai në X para se të vendosej në paraburgim.

Erdogani ka dënuar demonstratat dhe ka akuzuar CHP-në se po përpiqet të "turbullojë paqen dhe të polarizojë popullin".

Turmat janë mbledhur pranë bashkisë së Stambollit të dielën deri në orët e para të së hënës, për natën e pestë me radhë.

Demonstratat në përgjigje të arrestimit të Imamoglu janë më të mëdhatë që ka parë vendi që nga protestat e Gezi të vitit 2013, të cilat filluan në Stamboll për prishjen e një parku lokal.

Në total, tubime u zhvilluan në të paktën 55 nga 81 provincat e Turqisë, ose më shumë se dy të tretat e vendit, sipas një raporti nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Erdogani thotë se protestat për Imamoglun janë kthyer në “lëvizje dhune”

3 j. më parë / 24 mar 2025 17:24
Erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar kundërshtarët e tij, duke thënë se protestat kundër burgosjes së kryetarit të bashkisë së Stambollit, rivalit të tij kryesor politik, janë kthyer në një "lëvizje dhune", raporton Reuters.

Duke folur pas një takimi të kabinetit në Ankara, Erdogani ka thënë se opozita kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP) është përgjegjëse për çdo dëmtim të pronës dhe dëmtim të oficerëve të policisë gjatë protestave, të cilat po zhvillohen në të gjithë vendin që kur kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoglu është arrestuar javën e kaluar. 

Erdogani ka deklaruar gjithashtu se "shou" i tyre përfundimisht do të përfundojë dhe se ata do të ndjehen të turpëruar për "të keqen që i bënë vendit”.

Turqia ka arrestuar më shumë se 1,100 njerëz, përfshirë gazetarë, ndërsa demonstratat vazhdojnë.

Burgimi i kryebashkiakut konsiderohet gjerësisht si një lëvizje politike për të eliminuar një sfidues të madh të Erdoganit nga gara e ardhshme presidenciale, e planifikuar aktualisht për në vitin 2028.

BE-ja i kërkon Turqisë t’i ruajë vlerat demokratike

3 j. më parë / 24 mar 2025 15:12
Bashkimi Evropian, BE

Photo: Associated Press

Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Turqisë të respektojë të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur dhe protestuesve paqësorë. 

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka thënë se Turqia duhet "të mbetet e ankoruar në Evropë" duke u përkushtuar "për normat dhe praktikat demokratike", raporton AP.

"Si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbajë vlerat demokratike. Këto të drejta, të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur, si dhe të drejtat e demonstratave paqësorë, duhet të respektohen plotësisht”, ka thënë ai.

Të dielën, një gjykatë ka arrestuar zyrtarisht kryebashkiakun, Ekrem Imamoglu dhe ka urdhëruar burgosjen e tij në pritje të një gjyqi për akuzat për korrupsion.

Ndalimi i tij të mërkurën ka shkaktuar valën më të madhe të demonstratave në rrugët e Turqisë në më shumë se një dekadë, duke thelluar shqetësimet mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Burgimi i kryebashkiakut konsiderohet gjerësisht si një lëvizje politike për të eliminuar sfiduesit e Erdoganit nga gara e ardhshme presidenciale, e planifikuar aktualisht për në vitin 2028.

Zyrtarët qeveritarë i kundërshtojnë me forcë akuzat dhe këmbëngulin që gjykatat e Turqisë funksionojnë të pavarura.

Imamoglu është burgosur me dyshimin për drejtimin e një organizate kriminale, marrjen e ryshfetit, zhvatjen, regjistrimin e paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulimin e ofertave, akuza që ai i ka mohuar.

Kërkesa për burgosjen e tij për akuza të lidhura me terrorin është refuzuar edhe pse ai ende përballet me ndjekjen penale.

Mbi 1,000 të arrestuar brenda pesë ditëve të protestave në Turqi

3 j. më parë / 24 mar 2025 12:03
Turqi protesta

Photo: Associated Press

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka njoftuar të hënën se 1,133 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave kundër arrestimit të Ekrem Imamoglut në Turqi javën e kaluar.

“Terrorizimi i rrugëve tona dhe kërcënimi për paqen dhe sigurinë e kombit tonë absolutisht nuk do të tolerohen”, ka thënë Yerlikaya në një postim të gjatë në X.

Protestat kanë filluar të mërkurën, për të kundërshtuar ndalimin e rivalit të presidentit, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili është arrestuar edhe zyrtarisht të dielën, nën akuzat për korrupsion. Gjykata e ka hedhur poshtë akuzën për lidhje me një organizatë terroriste, raporton AP.

Ndërkohë, në mesin e të arrestuarve raportohet se janë edhe rreth 10 gazetarë që po mbulonin protestat në përkrahje të Imamoglut. 

Arrestohen në Turqi nëntë gazetarë që mbuluan protestat për Imamoglun

3 j. më parë / 24 mar 2025 11:17
Turqi protesta

Photo: Associated Press

Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë gazetarë që mbuluan protestat gjatë natës të së dielës në disa qytete, kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, ka bërë të ditur të hënën Unioni i Gazetarëve të Turqisë.

Nuk dihet ende pse janë arrestuar gazetarët.

Një gjykatë turke ka burgosur të dielën kryebashkiakun e Stambollit Imamoglu, rivalin kryesor politik të presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion, një veprim që shkaktoi protestat më të mëdha të vendit në më shumë se një dekadë, raporton Reuters.

Megjithë ndalimet e tubimeve në rrugë në shumë qytete, demonstratat kryesisht paqësore antiqeveritare u mbajtën për natën e pestë me radhë të dielën.

Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglun, të cilin ata e cilësojnë si të politizuar dhe jodemokratik.

Qeveria mohon se hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.
Imamoglu i ka mohuar akuzat me të cilat përballet, duke i quajtur ato "akuza dhe shpifje të paimagjinueshme" dhe ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare.

Një fotograf i stafit të Agence France Presse (AFP) është në mesin e gazetarëve të arrestuar, është bërë e ditur në një postim në X.