Botë

Protesta pro-Ukrainës në SHBA pas përplasjes Trump-Zelensky

Protesta

Protesta pro-ukrainase janë zhvilluar në të gjithë SHBA-në pas tensioneve të premten në Zyrën Ovale ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump e zëvendësit të tij JD Vance me presidentin ukrainas, Volodymr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Qindra njerëz janë mbledhur në New York, Los Anxhelos dhe Boston për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën pas përplasjes që shkaktoi reagim ndërkombëtar, raporton BBC.

Protestuesit që mbanin pankarta pro-Ukrainase u rreshtuan gjithashtu në një rrugë në Waitsfield, Vermont, ku zëvendëspresidenti Vance dhe familja e tij po qëndronin për një pushim skish.

Mediat amerikane raportuan se familja u zhvendos në një vend të pazbuluar nga vendpushimi i tyre i planifikuar i skive për shkak të demonstratave.

Një protestë në Waitsfield kundër administratës Trump-Vance ishte organizuar në fillim të javës, përpara përplasjes së presidentit dhe zëvendëspresidentit amerikan me Zelensky.

"Unë mendoj se performanca në Shtëpinë e Bardhë ka nxitur edhe më shumë njerëz të dalin sot”, i ka thënë Radios Publike Vermont Judy Daly, nga “Indivisible Mad River Valley”, grupi që organizoi protestën.

"Vance e kaloi vijën”, ka thënë protestuesi Cori Giroux.

Përpara udhëtimit të familjes Vance, guvernatori i Vermontit, Phil Scott, u kishte kërkuar njerëzve që të "kishin respekt" ndaj tyre.

Vance, i cili ka tre fëmijë të vegjël me gruan e tij Usha, nuk i ka komentuar publikisht protestat.

Demonstruesit gjithashtu u mblodhën jashtë dyqaneve të Tesla në të gjithë SHBA-në të shtunën për të protestuar kundër shtytjes së Elon Musk për të ulur shpenzimet e qeverisë.

Musk, shefi ekzekutiv miliarder i Tesla-s, është ngarkuar nga presidenti amerikan Trump të mbikëqyrë Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, i njohur më gjerësisht si Doge.