Qindra njerëz janë mbledhur të hënën jashtë zyrës së presidentit austriak në Vjenë, për të protestuar kundër një qeverie të mundshme të udhëhequr nga e djathta ekstreme.
Udhëheqësi i Partisë Austriake të Lirisë, Herbert Kickl, është pritur të hënën në mëngjes nga presidenti i vendit, Alexander Van der Bellen, teksa pritej se ai do të ngarkohej me formimin një qeveri të re, e cila do të ishte e para e drejtuar nga e djathta ekstreme që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton AP.
Partia e Kickl fitoi zgjedhjet parlamentare të Austrisë në shtator, duke marrë 28.8% të votave dhe duke mposhtur Partinë Popullore Austriake konservatore të kancelarit në largim, Karl Nehammer, e cila rezultoi në vendin e dytë.
Por në tetor, Van der Bellen e ngarkoi Nehammerin që të përpiqej të formonte një qeveri të re pasi partia e Nehammerit kishte deklaruar se nuk do të formonte koalicion me Partinë e Lirisë nën Kickl, dhe të tjerët po ashtu refuzuan të punonin me Partinë e Lirisë.
Përpjekjet për të formuar një aleancë qeverisëse pa të djathtën ekstreme dështuan në ditët e para të vitit të ri, dhe Nehammer ka bërë të ditur të shtunën se do të jepte dorëheqjen.
Partia Popullore më pas sinjalizoi se mund të ishte e hapur për të punuar nën Kickl.
Negociatat midis dy partive nuk janë të garantuara se do të rezultojnë të suksesshme, por nuk ka më asnjë opsion tjetër realist koalicioni në parlamentin aktual, teksa sondazhet thonë se zgjedhjet e reja mund të forcojnë më tej Partinë e Lirisë.
LEXO EDHE: