Prokurorët turq kanë nisur një hetim ndaj individëve të dyshuar për promovim të bojkotit ekonomik në mediat sociale dhe tradicionale, pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Zyra e kryeprokurorit të Stambollit ka thënë në një deklaratë të martën se po heton thirrjet që dyshohet se synojnë të pengojnë publikun nga përfshirja në aktivitet ekonomik, duke përmendur shkelje të mundshme të "ligjeve kundër gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësisë publike".
Imamoglu është arrestuar më 18 mars nën akuzat për korrupsion dhe bashkëpunim me një organizatë terroriste.
Disa ditë më vonë, një gjykatë në Stamboll e ka bërë edhe arrestimin zyrtar të tij, nën akuzat për korrupsion, ndërkaq kishte hedhur poshtë akuzën për terror.
Imamoglu shihet si rivali kryesor i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe arrestimi i tij është bërë vetëm pak ditë pasi partia opozitare së cilës i përket, Partia Popullore Republikane, ta shpallte atë si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.