Departamenti i Drejtësisë dhe këshilltari special i SHBA-së, Jack Smith janë në diskutime rreth mbylljes së ndjekjeve penale federale kundër Donald Trumpit, raporton CBS News.
Smith aktualisht është duke udhëhequr çështje të shumta kundër Trumpit, i cili do të bëhet presidenti i parë që do të marrë detyrën teksa disa çështje kundër tij janë në pritje.
Këto përfshijnë një rast mbi keqpërdorimin e supozuar të dokumenteve të klasifikuara dhe një për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, ndaj Joe Bidenit.
Republikani Donald Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke arritur më shumë se 290 vota elektorale, nga 270 sa nevojiten për t’u shpallur president.
Ish-presidenti amerikan është shpallur fajtor më 30 maj për falsifikimin e të dhënave biznesore të kompanisë. Ai është shpallur fajtor në të 34 akuzat që rëndonin mbi të.
Trumpi akuzohej se kishte falsifikuar të dhënat për të fshehur rimbursimet që ia kishte bërë avokatit të tij, Michael Cohen, i cili i ka paguar aktores së pornografisë, Stormy Daniels, 130 mijë dollarë në fushatën presidenciale të 2016-s, në këmbim që ajo të mos e paraqiste publikisht pretendimin se me Trumpin ka pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më herët.
Trumpi në vazhdimësi ishte deklaruar i pafajshëm dhe kishte mohuar veprën. Ai me këtë rast u bë ish-presidenti i parë që dënohet për vepër penale.
Ndonëse parashihej që dënimi t’i kumtohej në korrik, ai është shtyrë për në muajin nëntor. Gjykatësi Juan Merchan ka deklaruar në fillim të muajit shtator se e ka shtyrë shqiptimin e dënimit deri më 26 nëntor.
LEXO EDHE: