Prokurori i Parisit ka kërkuar një dënim me pesë vjet burgim dhe pesë vjet ndalim nga posti publik për lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në një proces gjyqësor në të cilin ajo dhe 24 të tjerë akuzohen për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Procesi i cili vjen pothuajse një dekadë pas fillimit të hetimeve fillestare, kërcënon të minojë përpjekjet e partisë së saj “Tubimi Kombëtar” për ta bërë më të mirë imazhin e saj përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, të cilat shumë besojnë se ajo mund t'i fitojë, raporton The Guardian.
Të mërkurën, prokurori i Parisit kërkoi po ashtu një gjobë prej 300,000 eurosh për Marine Le Pen.
Nëse gjykata e shpall fajtore për akuzat, Le Pen nuk do të jetë në gjendje të kandidojë në zgjedhje edhe nëse ajo apelon kundër vendimit.
Le Pen, vetë partia “Tubimi Kombëtar” dhe 24 të tjerë, zyrtarë partiakë, punonjës, ish-deputetë dhe asistentë parlamentarë, janë akuzuar të gjithë se kanë përdorur paratë e Parlamentit Evropian për të paguar stafin në Francë që punonte për partinë e tyre, e cila në atë kohë quhej “Balli Kombëtar”.
“Tubimi Kombëtar” ashtu si partitë e tjera të së djathtës ekstreme në Evropë, po përparon pas një performance të fortë në zgjedhjet evropiane në qershor.